Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka ngritur shqetësimin e mbetjeve urbane në kryeqytet. Përmes një deklarate, Xhixho thotë se koshat e tejmbushura prej ditësh me temperature që shkojnë deri në 49 gradë celcius, mbeten një rrezik i shtuar për përhapjen e sëmundjeve dhe infeksioneve.
Sipas Xhixhos, raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, jo vetëm që tregoi se Tirana është qyteti më i ndotur por tashmë, po mbulohet edhe nga plehrat.
80 mijë euro shkojnë çdo ditë në kontot e pronarëve faktikë të inceneratorit të Tiranës, thekson Xhixho, inekzistent që nga dita e parë e deri sot.
Të nderuar qytetarë.
Tirana është mbushur me plehra në çdo lagje. Përgjatë javëve të fundit, e kemi parë të gjithë se si plehrat kanë pushtuar rrugët dhe trotuaret.
Koshat e mbushur që kanë qëndruar me ditë të tëra në temperatura deri në 40 gradë vijojnë të mbeten rrezik për përhapjen e sëmundjeve.
Sot, Tirana, qyteti me ajrin më të ndotur, sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, i publikuar së fundmi, po mbulohet edhe nga plehrat.
Qytetarët e Tiranës paguajnë 20 milionë euro në vit për kompaninë Eco Tirana, e cila duhet të përgjigjet për të gjithë territorin e kryeqytetit.
60 mijë euro dalin çdo ditë nga xhepat e taksapaguesve për të shkuar në xhepat e saj!
Por kompania e lidhur me Ndraghetën nuk garanton atë për të cilën paguhet me paratë e qytetarëve të Tiranës: pastrimin e qytetit nga plehrat.
Ndërsa kryeqytetit i merret fryma nga plehrat, 80 mijë euro shkojnë çdo ditë në kontot e pronarëve faktikë të inceneratorit të Tiranës, inekzistent që nga dita e parë e deri sot.
E gjithë kjo situatë skandaloze vjen në kulmin e skandalit të transportit të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.
Heshtja dhe mosdhënia e asnjë sqarimi nga institucionet përgjegjëse për një çështje që ka të bëjë me shëndetin tonë, tregon në fakt se kemi të bëjmë me përfshirjen e vendit në Trafikim Ndërkombëtar të Mbetjeve të rrezikshme, jashtë protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare.
Kthimi i rreth 1600 ton mbetjeve toksike, si pasojë e këtij transporti të paligjshëm, cënon rëndë shëndetin e qytetarëve.
Pse nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur realisht? Këtu kemi të bëjmë me shëndetin e qytetarëve dhe kërkohet urgjentisht që institucionet të zbardhin çështjen, duhet të fillojë urgjentisht një hetim administrativ për çështjen.
Shqiptarëve u rrezikohet sot, jeta dhe shëndeti nga vetë qeverisja e tyre qendrore dhe lokale. Dhe sikur të mos mjaftonte kaq, përpjekja për ligjin për importin e mbetjeve, është e qartë se ka një qëllim të vetëm: të veprojë në interes të Mafias së Plehrave.
Edi Rama duhet të japë urgjent llogari për eksportin e paligjshëm të mbetjeve, Erjon Veliaj duhet të përgjigjet urgjentisht për helmimin e qytetit me mbeturinat që kanë pushtuar rrugët.
Kjo maxhorancë që vjedh çdo ditë qytetarët, tani po rrezikon seriozisht shëndetin tonë. Sepse interesi i qeverisë së plehrave është vetëm biznesi i plehrave dhe plotësimi i qëllimeve të mafias së plehrave.
Ne nuk do të lejojmë që Shqipëria të kthehet në një kosh mbeturinash nga një qeveri që i sheh ato si mekanizmin e radhës për të mbushur xhepat.
Ndaj Partia e Lirisë do të denoncojë me fakte çdo skandal që lidhet me mbetjet sepse shëndeti dhe siguria e qytetarëve janë interesi i saj parësor, thekson Xhixho.