Mega-tenderi i Dumanit/ 4 mld lekë për mobilje, do ndërtojë tunel ajror

E mërkurë, 04 September 2024 12:04
 

Mobilimi i zyrave të reja të SPAK dhe ndërtimi i një tuneli ajror që do lidhë godinën ekzistuese me objektin e ri, ka bërë që struktura e posaçme SPAK, të hapë procedurat e një mega-tenderi me vlerë prej 3 miliard e 953 milion lekë të vjetra, të cilat janë dhënë nga Buxheti i Shtetit.

Tenderi është çelur në mesin e muajit gusht 2024, ndërsa pritet që zarfat me ofertat ekonomike të paraqitura nga subjektet e interesuara të hapen, pas datës 6 shtator 2024, nga një komision i ngritur posaçërisht brenda në SPAK, raporton ORA NEWS

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e godinës së re që ndodhet përballë me godinën aktuale të SPAK dhe godinën e Gjykatës së Posaçme. Kjo godinë njihet në zhargonin e Tiranës si “Qelqi” për shkak të fasadës tërësisht prej xhami që ka.

Aktualisht objekti disakatësh ruhet nga forcat e Gardës së Republikës, megjithëse nuk është funksional.

Pas shpalljes së kompanisë fituese, objekti do i nënshtrohet totalisht rikonstruksionit, ku është projektuar ndërtimi i platformave të shkallëve elektrike, salla mbledhjesh, dhomat e marrjes në pyetje, teknika e përgjimeve e shumë ambiente të tjera.

Pjesë e planit të ndërtimeve është dhe një tunel ajror në formë urre, i cili është parashikohet me strukturë metalike dhe qëllimi i tij është lidhja e godinës ekzistuese me objektin e ri që pritet të ndërtohet dhe mobilohet.

Jo më larg se pesë muaj, SPAK shpenzoi gati 70 mijë lekë duke kontraktuar një kompani nga Fieri me qëllim rrethimin me murr dhe kangjella këtë objekt të ri..

Për të gjithë këtë rikonstruksion SPAK ka planifikuar të shpenzojë një shumë financiare prej 3 miliard e 953 milion lekë, të cilat janë vënë në dispozicion nga fondet e buxhetit të shtetit për dy vitet buxhetore 2024-2025.

Tashmë pritet vetëm të shpallet fituesi i këtij mega-tenderi, që të verë në zbatim projektin. Kjo është godina e dytë që merr SPAK, pas administrimit të ish-godinës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Image

Login to post comments