Rilindje 1945 – kundërshtarët e PS konsiderohen “armiq të popullit”
Çudi e padëgjuar që dëshmon urrejtje politike ekstreme ishte thirrja në SPAK e Prof. Ledina Alollit.
Prof. Alolli qenkësh thirrur kinse si person që kish dijeni për veprën penale nr. 287 që është procesi i kthimit të pronës dhe privatizimit të objekteve të ndërtuara mbi tokën private nga shteti hajdut komunist qe e quajti “Klubi Partizani” tek toka e mbi 100 familje trashëgimtare të 5 familjeve themeluese të Tiranës.
Çfarë lidhje mund të kish një profesoreshë nga Korça me ish-Klubin Partizani?
Shihni process-verbalin e marrjes në pyetje. Jo vetëm që ai që e pyet është patronazhisti Karaxha, që ka dalë në fushatë zgjedhore me bluzë të PS në krah të ministrit të drejtësisë Ulsi Manja dhe në dhunim ligji është promovuar si hetues/OPGJ, por pyetjet e servirura nga prokurorja janë thagmë. Kinse hetohet për Klubin Partizani për procedura të para 18 viteve, por Prof. Alolli merret në pyetje se si ka siguruar kapelet dhe bluzat për fushatën e zgjedhjeve vendore të 2023! Pra, Prof. Alolli duhet të ndihet e lumtur që ia vodhën në garë të pandershme zgjedhjet e 2023, përndryshe do burgosej si Fredi Beleri.
Shpërdorim detyre i pacipë në procesin politik farsë të stisur ndaj liderit të opozitës.
Prof. Sali Berisha dhe Prof. Jamarbër Malltezi janë në arrest politik në dhunim të ligjit që detyron prokurorinë çdo 2 muaj të paraqesë dhe të miratojë raport diligjence në gjykatë për arsyet e mbajtjes së arrestit ndaj qytetarëve. Në rastin e “armiqve të Partisë Socialistë” Berisha dhe Malltezi afati i diligjencës së 5-të ka kaluar me 2-3 javë dhe janë në arrest të paligjshëm. Njëkohësisht, gjyqtarja me 3 mbiemra – që mbahet nën shtrëngim (blackmail) nga Edi Rama ndonëse ka ardhur 2 herë përgjigja që është dënuar në Greqi dhe për këtë duhet të shkarkohet dhe të mbajë përgjegjësi penale - mbajti 1 muaj në mënyrë të kundraligjshme ankesën duke mos e përcjellë në apel (po tek e njëjta ndërtesë) gjë që rezultoi në 1 muaj arrest të paligjshëm të Prof. Berishës dhe Prof. Malltezit.
Por ata që duhet të mbrojnë interesin publik kanë kryer vetë shkelje kushtetuese ndaj këto shkeljet e procedurës penale nuk i konsiderojnë problem ndaj “armiqve të partisë”. Enkeleda Millonai, e njohur si prokurorja e bandave të Elbasanit e sponsorizuar nga Taulant Balla dhe lala për t’u emëruar në SPAK, dhe ish-hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja shkelën të drejtën kushtetuese të procesit të rregullt ligjor duke sekuestruar dosjen civile për shpifje të Prof. Malltezit ndaj Taulant Ballës (a thua se nuk bënin dot një kopje) dhe pamundësuar shqyrtimin e dosjes, ndaj nuk e kanë për gjë që vijojnë shkeljet në procesin e montuar politik kundër liderit të opozitës, Sali Berisha.
Deri tani ka rezultuar se të vetmit që kanë kryer vepër penale janë Taulant Balla që ka kryer kallëzim të rremë dhe Edi Rama që ka shpërdoruar detyrën duke sjellë mbi 320,000 euro dëm financiar dhe më pas duke mos respektuar dhe penguar zbatimin e vendimit të gjykatës së formës së prerë, por kur veprën penale e kryejnë Rama me Ballën mesa duket SPAK përdor një tjetër Kod Penal.