Organizata të medias reaguan të alarmuara ndaj një serie kërcënimesh që Driant Zeneli, bashkëthemelues i fondacionit “Harabel” bëri ndaj gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei, pas publikimit të një shkrimi që lidhte aktivitetet e fondacionit me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion në të ashtuquajturin “inceneratori i Tiranës”.
BIRNOrganizata të medias reaguan të alarmuara të hënën dhe të martën, pas publikimit të një serie mesazhesh kërcënuese që Driant Zeneli, i cili sëbashku me bashkëshorten e kryebashkiakut Erjon Veliaj, Ajola Xoxe, është bashkëthemelues i fondacionit “Harabel” bëri ndaj gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei.
Mesazhet kërcënuese nisën pas publikimit të një shkrimi nga van Gerven Oei që lidhte aktivitetet e fondacionit, i cili merret me promovim të artit, me kompaninë Integrated Energy BV SPV e hetuar nga SPAK për korrupsion në të ashtuquajturin “inceneratori i Tiranës”.
“The SafeJournalists Network është thellësisht i alarmuar nga kërcënimet ndaj gazetarit holandez Vincent van Gerven Oei, i cili publikoi një arikull kritik me titull “Si të lash art dhe para përmes koncesionit të menaxhimit të mbetjeve””, thuhet në reagimin e rrjetit Safejournalist, që përfshin organizata të medias në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë po ashtu u shpreh i shqetësuar për sigurinë e gazetarit. “AGSH dënon me vendosmëri çdo kërcënim, intimidim dhe shantazh ndaj gazetarëve”, thuhet në reagim.
Në një sërë mesazhesh të publikuara nga gazetari Zeneli përdor gjuhë fyese dhe më pas e kërcënon të mos shkruaj. “Mos guxo të më shkruash më personalisht se e ke policin te dera”, thuhet në një nga mesazhet e Zenelit që van Gerven Oei ndau me median.
Vetë gazetari i cilësoi këto sulme të përditshme, ndërsa tha se kolegët nga Shqipëria e vuanin më shumë presionin për shkak se veç tyre sulmoheshin edhe familjet e tyre. “Ky është abuzimi dhe kërcënimi që kolegët e mi shqiptarë vuajnë në përditshmëri e sa herë raportojnë për lidhjet mes qeverisë, oligarkëve dhe kapitalistëve të kulturës”, shkroi ai në një mesazh në Instagram, ku denoncoi kërcënimet.
Rrjeti Safejournalist përshkroi se pas një sëri mesazhesh kërcënues bashkëthemeluesi i Harabeli dhe tre persona të tjerë u përplasën me gazetarin gjatë një ekspozite në Tiranë në katër shtator. Sipas rrjetit gazetari u sulmua me gjuhë fyese dhe denigruese, ndërsa Zeneli dhe tre të tjerët tentuan ta godisnin. “Vetëm ndërhyrja e personave të tretë ndaloi përshkallëzimin”, thuhet në reagimin e rrjetit.
“Ky incident ngre shqetësime serioze mbi sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, sidomos kur raportojnë mbi tema sensitive që përfshijnë figura të fuqishme”, thuhet më tej në reagim, ku kërkohet hetim i kërcënimeve. Më herët në shtator edhe ambasadori i Holandës në Shqipëri dha një mesazh solidariteti me gazetarin van Gerven Oei.