Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, kreu demokrat Sali Berisha, paralajmëroi ndërmarrjen e një aksioni të fortë opozitar, ndërsa tha se situatës do i përgjigjemi dhëmb për dhëmbë.
Kryesia e PD është mbledhur me urgjencë mbrëmjes e sotme, pasi disa orë më parë Gjykata e Apelit vendosi të dënojë me 1 vit heqje lirie nënkryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Ervin Salianji, për akuzën e kallëzimit të rremë, publik.
“Sot më shumë se kurrë duhet të flasë guximi i opozitës.
Qendrimi ynë do jetë një opozitë me të madh e me të vogël, në proteste, në proteste, në protestë.
Qendrimi ynë do jetë, përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh, të përballjes dhëmb për dhemb, si objektivi më madhor absolut, me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë”, tha Berisha.
Ai tha se Edi Rama i shpalli luftë të hapur PD-së, shpalli luftë të hapur opozitarëve dhe mbarë qytetarëve.
“Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e deputetit Ervin Salianji veçse një ndëshkim, një hakmarrje primitive, e verbër e klaneve më të egra mafioze, të cilat midis një prite diku në errësirë, zgjodhën narkoshtetin për t’i dhënë përgjigjen hakmarrëse që mendonin.
Të dashur demokrate e demokratë, sot Geron Xhafa prestanome i Fatmir Xhafës dhe Edi Ramës, arriti të dënojë deputetin guximtar Ervin Salianji.
Pse? Sepse ai në ndërgjegjen e tij, në idealet e tij, zgjodhi të jetë përfaqësuesi juaj i vërtetë.
Ai zgjodhi midis kokëuljes, midis indiferencës, midis moskokëçarjes, zgjodhi t’i thotë derrit, derr. T’i thotë kriminelit, kriminel.
Pavarësisht se ai ishte vëllai i ministrit të brendshëm dhe byrazer i kryeministrit.
Pra, ky përfaqësues i juaji zgjodhi më të ndershmen ndaj jush. Zgjodhi më dinjitozen, më të guximshmen.
Nuk pranoi t’i arkivojë, por doli në shesh, u tha shqiptarëve se Geron Xhafa drejton trafiqet nga Vlora, ndërkohë që është i dënuar në Itali dhe ka mburojën e vëllait të tij dhe sivëllait Edi Rama”, tha Berisha