PD bojkotoi sot Komisionin e Integrimit.
Vetëm 2 deputetë, Jorida Tabaku dhe Edi Paloka morën pjesë, ndërsa deputetët e tjerë nuk janë pranishëm.
Kryetarja e komisionit, Tabaku, deklaroi: "Ne nuk mund të kemi një Shqipëri perëndimore dhe një proces integrimi me në qendër qytetarët kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, reformat në shtetin ligjor dhe mbrojtje politike ndaj anëtarëve të mazhorancës, ndërsa goditet politikisht opozita duke e sulmuar dhe eklipsuar padrejtësisht dhe pandershmërisht atë".
Kurse deputeti Edi Paloka njoftoi arsyet përse PD kishte ndërmarrë nismën e re të saj. Paloka kujtoi se ata nuk janë kundër procesit të integrimit, por se ishin para një narkoshteti. Paloka sulmoi hapur edhe drejtësinë e re si shkaktare të situatës politike të fundit, duke iu referuar burgosjes së liderëve të opozitës.
“Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë nga kushtet e BE-së. Për fat të keq nuk plotëson asnjë nga kriteret e BE aktualisht që flasim, kur pritet edhe hapja e negociatave. Reforma elektorale, kushtet e të cilës prej 11 vitesh nuk plotësohen dhe regjimi nuk lejon zgjedhjet e barabarta në Shqipëri, edhe pse i kërkon OSBE-ODIHR”, tha deputeti demokrat.
“Kjo drejtësi është e kapur dhe në duart e Edi Ramës. Sot në prag të zgjedhjeve, të gjithë krerët e partive opozitare janë nën arrest, persekutim apo në çështje penale nga kjo drejtësi e reformuar. Fredi Beleri u arrestua dhe u burgos dhe u zgjodh eurodeputet duke qenë në burg. Një tjetër koleg i yni dy ditë më parë (Ervin Salianji), po si Fredi Beleri, pa dëshmitarë e prova u çua në burg".