Hapat e Leninit në Tiranë

E mërkurë, 02 October 2024 12:21
 
Nga Veton Surroi:
 

Debati rreth besimeve me “Vatikanin bektashi” dhe burgosja e deputetit Salianji si ndëshkim i fjalës së lirë janë probleme të reja e krejtësisht të panevojshme për një shtet që me probleme të mëdha, si krimi i organizuar, do të fillojë negociatat e anëtarësimit në BE

1.

Shqipëria mund të parafrazojë titullin e librit të librit të V.I. Lenin nga fillimi i shekullit XX  “Një hap para, dy hapa prapa: kriza në partinë tonë” , me zëvëndësim të fjalës “parti” me atë “shtet”. Pra, disa ditët e kaluara dhe të ardhme mund të tregojnë një çrregullim të funksionimit të shtetit, mbase edhe si paralajmërim të pakëndshëm për të ardhmën.

 

Të fillojmë nga hapi para. 

Shqipëria në mesin e muaj tetor pritet të fillojë më në fund negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Vendi është mbajtur për një dhjetëvjetësh në status kandidati për anëtarësim dhe përgjatë këtyre dhjetë vjetëve nuk kishte ndonjë arsye që lidhej me Shqipërinë e që do të duhej të pengonte hapjen e kapitujve negociatorë. Shqipëria ishte mbajtur peng lidhur me çështjeve identitetare të lindura nga zhbërja e ish Jugosllavisë, duke qenë tashmë pjesë e Klubit të Ballkanit Perëndimor (në shoqëri me 5 shtetet të dala nga ish Jugosllavia).

Për dhjetë vjet vendi pagoi tagrin e problemeve identitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë e së fundmi edhe Bullgarisë, relacionit mes Kosovës dhe Serbisë, paralizës kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës dhe procesit të kontestimit të Malit të Zi si komb e shtet. 

Nga mesi i tetorit nuk do të jetë më me rëndësi për Shqipërinë në marrëdhëniet me BE-në se çfarë shkruan në librat maqedonas për heronjtë revolucionarë bullgarë, si mund të duket Bashkësia e komunave serbe në Kosovë, pse Dodiku mund të shpallë të pavlefshme përmendjen e gjenocidit të Srebrenicë apo çështja e ekzistencës të Kishës ortodokse malazeze të njohur nga Patrikana e Stambollit. I tërë ky konglomerat problemesh ishte aty çdoherë kur debatohej për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe disi me nënkuptueshmëri si pjesë e regjionit futej edhe Shqipëria. 

Në momentin e hapjes së “clusterit” të parë, Shqipëria do të negociojë në bazë të meritave të veta.

2.

Në këtë pikë, ende pa u hapur kapitujt e rëndë për Shqipërinë- siç është sundimi i ligjit- vendi kandidoi probleme që janë indikatorë seriozë për shtetin.

Kryeministri Rama ofroi argumente serioze për kritikë natyrës së shtetit kur doli me iniciativën e tij për “Vatikanin mysliman”, gjegjësisht “sovranitetin bektashi” brenda territorit të Shqipërisë. Kryeministri shkeli me të dyja këmbët rregullin bazë kushtetues me të cilin mund të krenohet Shqipëria, madje ballëlartë pothuajse gjithandej Evropës, se “shteti është asnjanës në çështjet e besimit”. Kryeministri shpjegoi  se “ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale - pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre - komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë”. Kështu, ai ndërhyri në fushën e cila nuk i lejohet, asaj të besimeve. Sepse shteti laik ndonëse fillimisht i ndërtuar për ta mbrojtur shtetin prej religjionit ka edhe obligimin e mbrojtjes të religjionit nga shteti.

Për më tepër, kryeministri i vendit po e hap një çështje tashmë të rregulluar juridikisht e praktikisht. Shqipëria ka njohur subjektivitetin dhe pluralizmin e krishterë e islamik- Këshilli i Ministrave dhe katër bashkësitë fetare (Komuniteti Mysliman, Kisha Autoqefale Ortodokse, Kryegjyshata Bektashi, Vëllazëria ungjillore) kanë nënshkruar Marrëveshje e cila i shndërron ato në subjekte juridike. Këtyre u është shtuar edhe Marrëveshja Shtetërore me Vatikanin që rregullon edhe materien e subjektivitetit të Kishës katolike në vend. 

Nga aspekti juridik e praktik nuk ka gjë që rrezikon besimin në vend. Gjegjësisht, nuk ka gjë që rrezikon bashkësitë fetare pos ndërhyrjes krejtësisht të panevojshme politike të njeriut më të fuqishëm politik në Shqipëri. Pas iniciativës së tij, reagimi i parë qe i komunitetit mysliman i cili pos që u ndie i ofenduar për vlerësimet për islamin nga ana e kryeministrit, u ofrua po ashtu të mohojë subjektivitetin bektashi duke u ofruar si ombrella e “të gjitha tarikateve”.

3.

Kryeministri në ditët në vijim po ashtu mori një anë të gabuar në një çështje tejet të ndjeshme të lirive politike me burgosjen e prijësit të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Salianji po vuan që nga kjo javë dënimin e plotfuqishëm me burg njëvjeçar për diçka që në çdo vend evropian, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të jetë e drejtë e shprehjes së lirë jo më të anëtarit të Kuvendit, por edhe të çdo qytetari të rëndomtë. Kjo e drejtë e shprehjes së lirë nënkupton edhe të drejtën për të gabuar, sepse e drejta për të gabuar është thelbi i debatit demokratik. Pagabueshmëria është e kundërta e demokracisë andaj anëtarët e Parlamenteve flasin pa druajtje se mos eventualisht po gabojnë e po futen në burg. Korrigjimi i gabimeve në të shprehur bëhet në Parlament dhe në zgjedhje.

Duke shfrytëzuar të drejtën e tij për të folur, qoftë edhe gabimisht, Salianji nxori disa akuza publike për një ministër të Qeverisë Rama dhe vëllait të tij i cili kishte qenë i dënuar për krime. Këto akuza dërguar “urbi et orbi”, pra askujt konkretisht, janë konstatuar si të pamjaftueshme për inicim të procedurave penale. Në një rend demokratik, çështja do të mbyllej me kaq, dhe në rastin më të keq, Salianji do të paguante tagrin politik për një akuzë e cila qe e pamjaftueshme për prokurorinë.
Por dy gjykata, njëra e shkallës së parë dhe tjetra e apelit e dërguan në burg për një vepër të paqenë. Salianji u dënua për “kallëzim të rremë” që është vepër penale e cila konsumohet juridikisht kur personi paraqet gojarisht apo me shkrim denoncimin e tij për një vepër penale pranë organeve të hetimit, polici e prokurori dhe ai denoncim del të jetë qëllimisht i pavërtetë. Salianji këtë veprim nuk e ka bërë dhe tash është në burg si i dënuari i parë për “delikt verbal” në Shqipërinë post-komuniste e cila po i hap negociatat e anëtarësimit në BE.

Kryeministri Rama, i njohur në fillet e aktivizmit të tij publik si njëra prej figurave më të spikatura liberale të angazhuara për liri të shprehjes, do të bënte mirë të mbante anën e duhur, atë të mbrojtjes së të drejtës së shprehjes të kundërshtarëve të tij politik. Jo vetëm që është vlerë morale, por edhe praktike, për një vend me aspirata demokratike si Shqipëria së cilës i nevojitet opozita. 
Për më tepër, Kryeministri Rama ka mundësi të përdorimit të një precedenti juridik në mbrojtje të të drejtës së zotit Salianji. Një deputet tjetër i opozitës, Gazment Bardhi, akuzoi vëllanë e kryeministrit si njeri të përfshirë në trafik droge. Vëllai i kryeministrit paraqiti deklarimin mediatik të deputetit Bardhi në Prokurori me akuzë për “kallëzim të rremë”, por Prokuroria hodhi poshtë këtë denoncim, sepse fjalët e deputetit Bardhi ishin të shprehura në medie e jo të deponuara në Prokurori. Saktësisht sikur në rastin Salianji.

4.

Shqipëria, e çliruar përtej problemeve identitare të fqinjëve të vet, po hyn me të shpejtë në hapjen e problemeve shtesë. Sikur të mos mjaftonte “elefanti në dhomë”-prania jashtëproporcionale krahasuar me vendet evropiane të krimit të organizuar në ekonomi dhe funksionimin institucional të vendit - krijimi i problemeve të reja nga ato deri më dje inekzistente si çështja e besimeve apo e shprehjes së lirë është oguri më i keq për ardhmërinë e negociatave evropiane të vendit.

Login to post comments