Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane.
“Meqë grupi që është nëpër takime po vazhdon takimet, edhe jashtë axhende, po ju jap një informacion lidhur me takimet që kanë zhvilluar deri më tani me kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin evropian, Mekalister dhe eurodeputetë të tjerë të grupit të PPE, të cilët janë informuar për situatën politike në Shqipëri, për sulmin e vazhdueshëm ndaj opozitës nga mazhoranca, burgosjen politike të lidershipit të opozitës, ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në situatën në vend.
PPE mbështesin PD-në, vlerësojnë kontributin e saj në mbështetje të integrimit evropian dhe kërkojnë luftë të ashpër ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe influencës së tyre në qeverisjen aktuale.
PPE do mbështesin PD-në në procesin zgjedhor dhe në luftën e saj të opozitës në përgjithësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, duhet të respektojë votën e lirë të qytetarëve dhe të zbatojë detyrimisht rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Këto janë informacionet që kanë dërguar kolegët nga brenda, që vazhdojnë të kenë takime, për të cilat do u informojmë.
Meqenëse protesta kishte një orar, ne do e zbatojmë, nuk jemi në mosbindje civile në Strasburg,” tha Paloka.