Lideri i opozitës, Sali Berisha u shpreh se vendi po kalon një dhunë dhe terror të paparë kundër opozitës.
Në fjalën e tij para mbështetësve te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha theksoi se kjo dhunë dhe terron bëhet vetëm me qëllimin e vetëm për një Shqipëri pa opozitë.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më miqësore, më të ngrohta, mirënjohjen time më të pakufishme, të gjithë ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Një përshëndetje të përzemërt sot për të gjithë oratorët e kësaj platforme, tribune, të fjalës së lirë që përcjellim çdo natë, të vërtetat e këtij regjimi antishqiptar.
Përshëndes deputetin Ervin Salianji, në qelitë e burgjeve të diktaturës, aty ku është.
Përshëndes kryetarin e PL-së, Ilir Meta në qelitë e burgjeve të diktaturës.
Të dashur miq!
Shqipëria sot ngjet me Ugandën e Mushevinit, ngjet me Tunizinë e Sajedit, me Bjellorusinë e Llukashenkos. Vendi përjeton një dhunë e terror të paparë, në asnjë vend tjetër të Europës, kundër opozitës, me qëllimin e vetëm për një Shqipëri pa opozitë, apo një Shqipëri fasadë opozitë.