Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe do të marrë të pandehuri deputetin socialist, Plarent Ndreca, për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”. Ai akuzohet se ka kryer këtë vepër penale gjatë kohës që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion duket se është treguar shumë tolerante me deputetin e afërt me kryeministrin Edi Rama, pasi e ka hetuar në gjendje të lirë. Ndërkohë që, për raste të ngjashme, prokurorët e posaçëm kanë vepruar me arrestimin e zyrtarëve të dyshuar apo të akuzuar.
Në Dhjetor të vitit 2021, gjykata e posaçme pranoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, I akuzuar për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”. Tushe u arrestua në zyrën e tij, ndërkohë që ishte i shoqëruar me një prokuror të qytetit.
Në mars të vitit 2023, prangat i provoi edhe kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla. Ai akuzohej nga Prokuroria e Posaçme për “shkelje të barazisë në tendera” dhe ndaj tij gjykata e kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Më tej, në shtator të këtij viti, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi, gjithashtu i hetuar dhe akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”.
Po ashtu, edhe zyrtare të ndryshëm lokalë në Durrës, Lushnje, Bulqizë, Tiranë, e të tjerë, janë vendosur nën arrest, pasi dyshohet se kanë kryer të njëjtën vepër penale.
Por, duket se vetëm Plarent Ndreca është më i veçantë nga të gjithë. Ai është hetuar në gjendje të lirë, megjithëse akuza është e njëjtë dhe pasoja financiare dyshohet se është më e lartë se sa ajo për të cilën u prangosën zyrtarët lokalë.