Gjykata e Romës rrëzon sërish paktin Rama-Meloni/ 7 emigrantët e kampit të Gjadrit do kthehen në Itali

Hënë, 11 November 2024 20:01
 

Gjykata e Romës anuloi sërish paktin Rama-Meloni, duke vendosur të kthejë urgjentisht në Itali 7 emigrantët e kampit të Gjadrit që erdhën pak ditë më parë.

Për Gjykatën e Romës kriteri ‘vendi i sigurt’ nuk mund të përgjithësohet për çdo emigrant e për të gjithë territorin e vendit nga ku mbërrijnë, raporton për SYRI-n, gazetarja Alba Kepi.

8 emigrantët e mbërritur më 8 nëntor 2024 në Portin e Shëngjinit ishin 5 të kombësisë Bangladesh e 3 egjiptianë.

Një prej tyre është dërguar në Itali menjëherë se rezultoi person vulnerabël me probleme shëndetësore.

Ky është zbarkimi i dytë pas atij të tetorit 2024 ku mbërritën 16 emigrantë.

Më parë, qeveria Meloni nxitoi të sjellë refugjatët me anijen Libra që qëndruan disa ditë në kampin e Gjadrit dhe u kthyen sërish në Itali sapo gjykata mori vendimin.

1 / 1
 

Njoftim i Gjykatës

Njoftohet se më datën e sotme u zhvilluan seancat për shqyrtimin e kërkesave për konfirmimin e ndalimeve të realizuara nga Policia e Romës në përputhje me Protokollin Itali-Shqipëri, pas miratimit të Dekretit Ligjor nr. 158/2024.

Gjykatësit kanë konsideruar të nevojshme të disponojnë një dërgim paraprak (pyetje prejudiciale) në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian, duke formuluar katër pyetje, në përputhje me atë që është vendosur më herët nga dy trupa gjyqësorë të të njëjtës seksion në kuadër të pezullimit të vendimeve të refuzimit të kërkesave për azil të paraqitura nga persona migrantë, të cilët ishin ndaluar më parë në Shqipëri.

Përzgjedhja e dërgimit paraprak është konsideruar si mjeti më i përshtatshëm për të sqaruar disa aspekte të dyshueshme përsa i përket përputhshmërisë me legjislacionin ndërkombëtar, që janë shfaqur pas ligjeve të reja të miratuara nga dekreti i përmendur, i cili ka miratuar një interpretim të ligjit të Bashkimit Europian dhe të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të datës 4 tetor 2024, të cilat janë në kundërshtim me interpretimin që ka ndjekur kjo Gjykatë në kuadër të legjislacionit të mëparshëm, në lidhje me procedurat e konfirmimit të ndalimeve të realizuara nga Shqipëria.

Kjo mundësi është preferuar ndaj një vendimi të pavarur nga Gjykata për të konfirmuar interpretimin e saj, për shkak të arsyeve që janë shpjeguar në mënyrë të detajuar në urdhërat e dërgimit paraprak.

Duhet theksuar se kriteret për caktimin e një shteti si "Shtet i origjinës së sigurt" janë të përcaktuara nga e drejta e Bashkimit Europian. Andaj, duke respektuar kompetencat e ligjvënësit kombëtar, gjykatësi ka detyrimin të verifikojë gjithmonë dhe në mënyrë konkrete – si në çdo sektor tjetër të rendit juridik – aplikimin e saktë të të drejtës së Bashkimit Europian, e cila, siç është njohur gjithashtu nga Kushtetuta e Italisë, ka përparësi mbi ligjin kombëtar në rast të kundërshtimeve.

Po ashtu, duhet të jetë e qartë se caktimi i një shteti si shtet i origjinës së sigurt është i rëndësishëm vetëm për përcaktimin e procedurave që duhet të ndjekin; përjashtimi i një shteti nga lista e shteteve të origjinës së sigurt nuk pengon riatdhesimin dhe/ose dëbimin e personit migrant, nëse kërkesa për azil është refuzuar ose ai/ajo nuk plotëson kërkesat ligjore për të qëndruar në Itali.

Për shkak të dërgimit paraprak, gjykatësit nuk janë shprehur për kërkesat e konfirmimit, por kanë qenë të detyruar të pezullojnë procedurat përkatëse duke pritur vendimin nga Gjykata e Drejtësisë. Pezullimi i procedurës nuk ndalon kalimin e afatit ligjor prej dyzet e tetë orësh për vlefshmërinë e ndalimeve të vendosura nga Policia e Romës.

Romë, 11 nëntor 2024

Login to post comments