Kreu i FSHZH Dritan Agolli në SPAK, dha 400 mijë dollarë tender për kuzhinierin e famshëm

Tuesday, 12 November 2024 17:55

Kreu i Fondit të Zhvillimit Shqiptar Dritan Agolli është vënë nën hetim nga SPAK në lidhje me një tender që i ka dhënë kuzhinierit të famshëm Alfio Rrotani, me vlerë 400 mijë dollarë. Dritan Agolli po hetohet nga organi më i lartë i akuzës për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.

Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani me 27 Janar të këtij viti është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menunë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. 

 

Image

Fondi limit sipas dokumentacionit ishte 41,666,667 lekë, ndërsa oferta fituese rezulton në vlerën 41,020,500 lekë, pra me një diferencë prej 640 mijë lekësh mes fondit limit dhe ofertës fituese. Një grup tjetër kompanish është spostuar edhe pse kishte paraqitur një ofertë rreth 15 mijë USD më të ulët se sa kompania fituese.

Gara kompromentohet për shkak se Alfio Rrotani ka punuar me djalin e kreut të FSHZH Flladi Agolli në restorantin e tij në Hamallaj i regjistruar me emrin “Beach Bedoun Bar”. Vetë faqja zyrtare e restorantit ka ndarë në rrjetet sociale foto ku Alfio shfaqet me gatime që janë specialitet i këtij restoranti dhe me uniformën e shefit ku anash shkruhet edhe emri i tij.

Firma fituese është një bar restorant i njohur me emrin “Kripë dhe Piper” që ndodhet përballë godinës së Fondit Shqiptar të Zhvillimit në rrugën Sami Frashëri në kryeqytet. Ky ambient frekuentohet nga zyrtarë të niveleve të ndryshme që punojnë në FSHZH.

Login to post comments