KE: Ekonomia do të ngadalësohet në 2025 nga pasojat e shpopullimit të vendit, më pak dhe turistë

Premte, 15 November 2024 17:42
 

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.6% në vitin 2025, duke u ngadalësuar lehtë në krahasim me pritshmërinë e këtij viti prej 3.8% dhe nivelit prej 3.9% që u zgjerua në 2023.

Parashikimi është bërë në raportin e vjeshtës të Komisionit Europian. Ky i fundit pret dhe një ngadalësim të punësimit, të ndikuara nga emigracioni dhe rënia e popullsisë. Nga ana tjetër edhe ritmet e rritjes së turistëve pritet të ngadalësohen, parashikon Komisioni.

Sipas raportit, rritja ekonomike vazhdoi të jetë e fortë në vitin 2024 e nxitur nga konsumi privat dhe një sezon i mirë turistik. Pas katër viteve të ritmeve të larta të rritjes, rritja e PBB-së pritet të zbutet në 3.6% në 2025 dhe 3.5% në 2026 pasi konsumi familjar dhe publik pritet të ngadalësohet. 

Pas një rënieje të shpejtë në vitin 2024, inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3% të bankës qendrore gjatë vitit të ardhshëm. Deficiti fiskal pritet të zgjerohet pak përpara se të bjerë në 2% të PBB-së në vitin 2026. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të ulet gradualisht, i nxitur nga rritja nominale e PBB-se.

Raporti thekson se punësimi u rrit në vitin 2023 dhe pritet të përmirësohet më tej gjatë viteve 2024-2026, megjithëse me një ritëm më të moderuar. Shkalla e papunësisë pritet të bjerë më tej.

Pavarësisht përmirësimeve në tregun e punës, emigracioni mbetet një problem. Rezultatet paraprake të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2023, të publikuara në qershor të këtij viti, treguan se popullsia e Shqipërisë ra nga 2.8 milionë në 2011 në 2.4 milionë në 2023 (një reduktim prej 14%), duke tkurrur popullsinë në moshë pune.

Sipas KE, për 2025-2026 rritja e PBB-së parashikohet përkatësisht në 3.6% dhe 3.5%, duke u moderuar disi në krahasim me vitet e mëparshme, por duke mbetur e qëndrueshme. Përmirësimi i ngadaltë i punësimit do të ndikojë negativisht mbi konsumin privat, ndërkohë që konsumi publik parashikohet të ngadalësohet pas rritjeve të ndjeshme të pagave publike gjatë viteve 2023-2024, si pasojë e reformës së pagave publike.

Nga faktorët e jashtëm, eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë të zgjerohen, por rritja e ardhjes së turistëve pritet të zbutet, pas ritmeve dyshifrore të rritjes në vitet e mëparshme. Eksportet e mallrave parashikohen të rikuperohen pasi të arrijnë fundin në vitin 2024.

Rreziqet për ekonominë mbeten të larta, parashikon Komisioni, të lidhura me luhatshmërinë e kursit të këmbimit, rritjen e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar të ndikuar nga emigracioni dhe një rishfaqje të mundshme të presioneve inflacioniste.

Ekonomia e Eurozonës do të rritet 1.3% në 2025

Rritja ekonomike e Eurozonës do të rritet ndërsa pengesat për konsumin dhe investimet do të zbehen, megjithëse gjeopolitika përbën një kërcënim në rritje, sipas Komisionit Europian.

Prodhimi i brendshëm bruto do të rritet me 1.3% vitin e ardhshëm dhe me 1.6% në vitin 2026, tha Komisioni Europian në raportin e fundit. Kjo është pak më e lartë se ajo që parashikoi Fondi Monetar Ndërkombëtar muajin e kaluar dhe dukshëm më e lartë se 0.8% e parashikuar nga zyrtarët për vitin 2024.

Rritja e çmimit të konsumit shihet të zbutet në 2.1% vitin e ardhshëm dhe në 1.9% në 2026, pak më poshtë objektivit prej 2% të Bankës Qendrore Europiane. Pavarësisht nga disa luhatshmëri të pritshme në terma afatshkurtër, procesi i disinflacionit “duket i vendosur në vend”.

“Ndërsa inflacioni vazhdon të lehtësohet dhe rritja e konsumit privat dhe e investimeve rritet, me papunësinë në nivele të ulëta rekord, rritja do të përshpejtohet gradualisht gjatë dy viteve të ardhshme,” tha në një deklaratë Komisioneri i BE-së për Ekonominë Paolo Gentiloni.

“Megjithatë, sfidat strukturore dhe pasiguria gjeopolitike rëndojnë mbi perspektivat tona të ardhshme.”

Login to post comments