Partia Demokratike e ka akuzuar kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, se ka kërcënuar publikisht dhe në mënyrë të turpshme gjyqtarët e çështjes së 6 anëtarëve të PS-së, pa mandat të vlefshëm në Këshillin Bashkiak.
PD publikon videon ku duket qartë kërcënimi i z. Dalipi, i cili foli pas largimit nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të këshilltarëve të PD dhe LSI.
“Do të shohim sesi do të na vijë turp nga vendimet që marrin disa gjykatës që ndoshta do të shohin, në do ta kalojnë vettingun apo nuk do ta kalojnë. Ky është gjyqësori ynë, kjo është drejtësia, absolutisht”, kërcënoi Dalipi.
“Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, kërcënon publikisht gjyqtarët e çështjes së 6 anëtarëve të PS-së, pa mandat të vlefshëm në Këshillin Bashkiak. PD e ka fituar shkallën e parë, por PS dhe Edi Rama, kanë nisur presionin e hapur ndaj drejtësisë. Duke shpallur të paligjshëm procesin e marrjes së mandatit nga 6 anëtarë të PS, çdo vendim nga 26 Korriku i Bashkisë së Tiranës, bëhet i pavlefshëm, përfshirë rritjen e taksave, rritjen e çmimit të ujit, betonizimit dhe shkatërrimit të Teatrit Kombëtar”, thuhet në denoncimin e Partisë Demokratike.