7 muajt e fundit, kryefjalë e zhvillimeve politike në vend ka qenë padyshim çështja “Tahiri”, duke e kthyer kështu në zyrtarin e parë të këtij niveli në Shqipëri, që akuzohet drejtpërsëdrejti për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Ishte mesi i tetorit të vitit të shkuar, kur ish-ministri i Brendshëm u vu në qendër të vëmendjes dhe akuzave, pas zbulimit të përgjimeve të grupit ndërkombëtar të trafikut të drogës “Habilaj”, ku i përfshirë u akuzua edhe ish-ministri.
Si nisën hetimet
Pikënisja filloi me arrestimin e Moisi Habilajt në Itali, një nga tre vëllezërit Habilaj, të cilët u bënë të njohur për publikun për shkak të akuzave publike ndaj tyre për trafik droge në drejtim të Greqisë dhe Italisë.
Fillimisht, akuzat ndaj vëllezërve Habilaj u bënë nga Dritan Zagani, ish-punonjës i shërbimit anti-drogë në policinë e Fierit dhe më parë punonjës i policisë kufitarë në Vlorë. Zagani ishte informuar dhe si rrjedhojë, kishte kryer hetime ndaj vëllezërve Habilaj për përfshirjen e tyre në trafik droge. Për të kryer këto hetime duket se Zagani ndau dhe kërkoi informacion nga oficerë të misionit të Guardia di Finanza në Shqipëri. Të gjitha faktet e mbledhura ai ia kaloi eprorëve të tij.
Në mënyrë të pashpjeguar, Zagani u akuzua nga policia për dekonspirimin e aksioneve, duke pretenduar ndër të tjera se shkëmbimet e informacionit me oficerët e Guardia di Finanza ishin bërë në shkelje të ligjit.
Për këtë arsye ai u arrestua nga prokuroria dhe u la në arrest shtëpie nga gjykata në pritje të mbylljes së hetimeve ndaj tij.
Zagani theu arrestin shtëpiak dhe u arratis nga Shqipëria. Ai kërkoi strehim politik, i cili iu dha nga autoritetet zvicerane.
Pas largimit nga Shqipëria, Zagani deklaroi se akuzat dhe arrestimi ishin hakmarrje ndaj tij nga Ministri Saimir Tahiri, për shkak se ai kishte hetuar tre vëllezërit Habilaj. Sipas Zaganit, Habilajt ishin kushërinj të Saimir Tahirit dhe kishin mbrojtjen e tij për trafikimin e drogës.
Zagani akuzoi se Tahiri kishte vënë në dispozicion të tyre makinën e tij vetjake, makinë tip Audi me targë AA003GB, me të cilën Habilajt kryenin trafikun e drogës drejt Greqisë, duke qenë se policët kufitarë nuk guxonin të kontrollonin makinën personale të ministrit të tyre.
Pas këtyre akuzave Saimir Tahiri mohon akuzat për lidhje me vëllezërit Habilaj, të hetuar për katër vite nga autoritetet italiane. Megjithatë, shumë shpejt në media u publikuan të dhëna që tregonin se makina Audi AA003GB që përdornin vëllezërit Habilaj ishte në fakt e regjistruar në emër të vetë Tahirit. Në këto kushte, ish ministri pohoi se kishte kryer një ‘gabim’, duke u shitur atyre makinën, pasi ishte emëruar si ministër.
Thellohet skandali: Tahiri udhëtoi dy herë me Habilajt
Pas disa ditësh, në media qarkulloi një tjetër fakt që thellonte edhe më tej skandalin e përfshirjes së ish-ministrit në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Minsitri Tahiri kishte udhëtuar të paktën dy herë në Greqi me makinë Audi AA003GB muaj pasi ai kishte deklaruar që e kishte shitur makinën tek Habilajt.
Këtë fakt të ri Tahiri e shpjegoi me justifikimin se udhëtimet e tij në Greqi ishin private dhe duke mos dashur të përdorte makinën zyrtare për qëllime private, u kishte kërkuar Habiljave t’ia linin makinë për këto udhëtime. Kjo deklaratë e re e tij hodhi poshtë deklaratën e mëparshme se ai nuk kishte lidhje me Habilajt, përtej faktit që u kishte shitur atyre një makinë.
Prokuroria lëshon urdhër-arrest ndaj Tahirit Pas dinamikës së ngjarjeve në të cilat u përfshi Saimir Tahiri, çështjen e merr në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda, kohë kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme ishte ende në detyrë Adriatik Llalla.
Pak ditë më vonë, më 19 tetor 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon arrestimin e Tahirit, duke kërkuar fillimisht heqjen e imunitetit dhe duke e akuzuar atë për “Trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, si edhe korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Prokuroria i drejton një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë bazuar mbi dyshimet e forta se Tahiri ka qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale të Moisi Habilajt dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të kësaj bande dhe ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të tyre.
Nisur edhe nga hetimet italiane, prokuroria dyshonte se përfitime monetare kanë shkuar direkt tek ish-ministri i Brendshëm.
Çështja kaloi në Kuvend, ku me votat e mazhorancës u votua që Tahirit të mos i hiqej imuniteti i deputetit , arrestimin e tij, por lejimin e kontrollit të banesës. Pas kontrollit, nuk u gjet asnjë provë e vlefshme që implikonin ish-ministrin, ndërsa nuk munguan akuzat se ishin fshehur para se të nisë hetimi.
Roli i Tahirit
Dokumentet e policisë italiane e përmendën ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve në tre raste. Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë ka më shumë se sa ata Saimir Tahiri. Moisiu beson se Saimiri ka bërë 5 milionë euro brenda një muaji ndërsa Çelaj thotë se këto janë para të parëndësishme për të pasi atij 20 milionë nuk i mjaftojnë në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e Ministrit të Brendshëm, por ai pati qenë deputet që nga viti 2009.
Në rastin tjetër, (f 93) Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro.Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënon se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Sicili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit. Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës.
Pas skandalit, Rama e shkarkon nga funksionet e PS
Pas skandaleve të njëpasnjëshme në të cilat u përfshi ish-ministri i kabinetit të tij qeveritar, në mandatin e parë, kryeministri Edi Rama vendos të shkarkojë Saimir Tahirin nga të gjitha funksionet e tij në PS, si kreu i socialistëve në PS dhe koordinatorin e bashkëqeverisjes me qytetarët.
Që prej asaj kohe, Tahiri filloi të reduktojë edhe pjesëmarrjet e tij në seancat parlamentare, duke u “zhdukur” kështu për plot 6 muaj.
863 mijë euro dhe patentat e Tahirit në makinën e Orest Sotës
Skandali sa vjen e thellohet. Më 1 nëntor 2017 policia ndalon biznesmenin nga Elbasani Orest Sotën dhe i gjen 2 patenta të skafit në emër të ish-ministrit Tahiri dhe 863 mijë euro cash.
Prokuroria pretendonte se shuma e parave ishte e pajustifikuar dhe dyshonte se kishin lidhje me hetimin ndaj Saimir Tahirin. Ndërsa Sota dhe avokati i tij deklaruan vazhdimisht se 863 mijë eurot ia kishte dhënë i ati për të bërë një pagesë për kompaninë “Kurum”.
“Freedom House” për Tahirin
Pak ditë më parë “Freedom House” ka publikuar raportin e përvitshëm “vendet në tranzicion”, ku përfshin edhe Shqipërinë.
Në këtë raport, organizata e njohur i ka dhënë një hapësirë të konsiderueshme rastit të “cështjes Tahiri”, i akuzuar si i përfshirë në trafikun e drogës në bashkëpunim me bandën e drogës Habilaj.
“Ka pasur disa përparime në vitin 2017 në luftën kundër korrupsionit administrativ dhe ryshfetit, veçanërisht në forcat e policisë. Ka pasur gjithashtu përparim në luftën kundër drogës, siç pasqyrohet në një reduktim të dukshëm të kultivimit të kanabisit. Arritjet e tilla u minuan në fillim të nëntorit nga refuzimi i parlamentit për një kërkesë nga Prokuroria për të hequr imunitetin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, në mënyrë që ai të mund të arrestohej pas dyshimeve nga autoritetet italiane të zbatimit të ligjit se ai ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian i trafikimit të drogës”, thuhej në raport.
Rishfaqet Tahiri, thumba”Ramës” në distancë
Pas 6 muajsh heshtje Saimir Tahiri u rishfaq sërish në skenën politike.
Tahiri u paraqit në dy seancat e fundit në Kuvend për të mbajtur fjalën, me 12 dhe 19 prill por nuk mundi të fliste, njëherë për shkak të bojkotit të PD-së dhe njëherë për shkak të kaosit të krijuar në sallë nga opozita në shenjë proteste. Më 19 prill Tahiri “theu heshtjen” duke folur por gazetarët dhe iu përgjigj dhe akuzave të opozitës, se po e mbron Edi Rama dhe tha: “As më mbron njeri dhe as dua njeri të më mbrojë. Për mua ka vlerë e vërteat dhe nuk ka vlerë askush që mund të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi. Nuk besoj që do të ketë bir nëne dhe bir kurve që do më pengojë”.
Por kjo nuk ishte një shprehje e panjohur. I vetmi politikan që e ka përdorur këtë kërcënim ka qenë Edi Rama kur drejtonte Bashkinë e Tiranës duke iu drejtuar Sali Berishës. “Nuk ka burrë nënë dhe bir kurve të fusë duart në xhepat e mi”, shprehej në vitin 2010, Edi Rama, detaj që u interpretua si një mesazh i koduar mes Tahirit dhe Ramës.
Kujtojmë se pas vizitës së Ramës në Berlin, Tahiri është kërkuar të bëhet “kurbani” në radhët e tij si kushti i vetëm për çeljen e negociatave të Shqipërisë në Berlin.
Pak ditë pas këtij informacioni, sot Saimir Tahiri dorëzon mandatin e deputetit, duke u kthyer një qytetar i lirë dhe duke i hapur rrugë hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. dhe zbardhjen e akuzave në këto 7 muaj. /Politiko.al/