Gjatë vizitës së sotme në vendin tonë grupi i deputetëve holandezë tha se Shqipëria nuk është gati, pasi problem është ende mosndëshkimi i zyrtarëve. “Shqiptarët janë problematik në Holandë”, kanë thënë ata duke shtuar se janë duke mbledhur informacion dhe nuk ka vendim përfundimtar të Holandës.
Deputetët kanë theksuar faktin se janë skeptikë për negociatat me Shqipërinë dhe se do të jetë e vështirë jo vetëm për ta, por edhe për Gjermaninë dhe Francën që të pranojnë Shqipërinë.
Pas reagimit të deputetëve gjerman duket se dhe Holanda po kundërshton progres-raportin e KE-së që i rekomandon vendeve anëtare hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Në vlerësimin e tyre 8 deputetët holandezë u shprehën se Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave, pavarësisht progres-raportit pozitiv të KE-së.
Plotësimi i 5 kushteve të vëna zyrtarisht nga institucionet evropiane nuk mjafton për hapjen e negociatave u shprehën deputetët e gjashtë partive kryesore holandeze. Sipas tyre Shqipëria duhet të tregojë se ka vendosshmërinë e duhur për të dënuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin.
Po ashtu ato theksuan se rritja e kriminalitetit shqiptar në Holandë është shqetësuese dhe nuk ndihmon aspak në procesin e integrimit evropian.
Në mbarim të vizitës deputetët do të hartojnë një raport për kuvendin holandez, në bazë të së cilit kuvendi do të votojë pro ose kundër propozimit të KE-së për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Por sipas gjasave duket se edhe Holanda nuk do të jetë pro vendit tonë në BE.