Dy prokurorët që urdhëruan arrestimin e Sajmir Tahirit dhe që kërkuan të zbërthenin aktivitetin e bandës “Habilaj”, janë nën hetim. Pavarësisht se firmën për ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitaj e vendosën Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, nën hetim janë dy prokurorët e Krimeve të Renda. Ky hetim ndaj prokurorëve të dosjes “Tahiri” nuk mund të konsiderohet gjë tjetër, përveçse presion ndaj tyre.
Që në nisje të hetimit Rama nisi paralelisht strategjinë për të mbrojtur Tahirin. Në kohën kur Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve në Parlament po diskutonte për të lejuar apo jo autorizimin për arrestin e Saimir Tahirit, në media u publikua ekzistenca e një dëshmitareje kyçe. Ajo ishte një oficere policie në Vlorë, e cila kishte lidhje me vëllezërit Habilaj. Kjo e dhënë gjendej vetëm në dosjen sekrete që prokuroria ua vuri në dispozicion deputetëve që po shqyrtonin kërkesën për Tahirin. Por, pa u marrë akoma vendimi për Tahirin, media pranë qeverisë publikoi ekzistencën dhe emrin e kësaj dëshmitareje, duke e “djegur” përfundimisht atë. Prokuroria, për shkak të politikës, e humbi që në fillim njeriun kyç, e cila mund të ndihmonte shumë hetimin.
Prokurorët, të cilët do të vendosin për arrestimin ose jo të Saimir Tahirit, janë përballë procesit të Vetingut. Tashmë është bërë e qartë se Komisioni i Vetingut, në shumicë dërrmuese, orientohet nga qeveria. Pra, prokurorët duhet të llogarisin para se të hedhin firmën për arrestimin e tij një hakmarrje të mundshme ndaj karrierës së tyre, nëpërmjet Vetingut.
Dhe, së fundi, edhe nëse prokurorët, pavarësisht vështirësive, vendosin t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar arrestimin e Tahirit, do të jetë ajo e fundit që do të japë verdiktin për fatin e ish-ministrit të Brendshëm. Për të njëjtat arsye si edhe prokurorët, a do të gjendet një gjyqtar që do të marrë përsipër riskun e të shndërrohet në objekt sulmesh politike, vetëm për të firmosur arrestimin e Saimir Tahirit?
Këto janë pikëpyetje, të cilat Tahiri dhe “ndërmjetësit” e kryeministrit duhet t’i kenë sheshuar para se ish-ministri i Brendshëm të shfaqej si i shqetësuar shumë për integrimin e Shqipërisë, për të cilin “bëri kurban” mandatin.