Në takimin e tetë të Aleancës në Mbrojtje të Teatrit, artistët kanë ulur në një nga sallat deputetët e ftuar gjatë javës së shkuar, për të firmosur peticionin për statusin e Teatrit dhe truallit për ta shpallur monument kulture, duke i prerë rrugën shembjes së godinës, dhe dhënien e truallit biznesit për ndërtimin e kullave
Një listë e gjatë me deputetë dhe zërat e tyre regjistruar në audio nuk kanë ndryshuar situatën e Teatrit që pas vitit 2002 kur u bë “ndeshja” e dytë me politikën qeverisëse, edhe në atë kohë socialiste. Në takimin e tetë të Aleancës në Mbrojtje të Teatrit, artistët kanë ulur në një nga sallat deputetët e ftuar gjatë javës së shkuar, për të firmosur peticionin për statusin e Teatrit dhe truallit për ta shpallur monument kulture, duke i prerë rrugën shembjes së godinës, dhe dhënien e truallit biznesit për ndërtimin e kullave. Historia vjen e përsëritur, si dy pika uji, nuk tregon ndonjë entuziazëm se deputetët do të krijojnë precedentin duke iu bashkuar Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Fragmentet e videove të ruajtura nga vitit 2002, po ashtu dhe reagimet e mediave të shkruara kanë kujtuar para deputetëve se janë në të njëjtën gjendje, dhe rishfaqen për t’ju kërkuar konkretisht se si mund t’i ndihmojnë në këtë kauzë. “Në të gjitha mediat flitet për teatrin dhe nuk ka asnjë militant politik, pasi të gjitha forcat politike kishin një kohezion”, thotë kryetari i SASE, Alert Çeloaliaj. Kërkesat e konfirmuara që janë mbartur nga viti 2002 janë të njëjta edhe sot: ligji për artin skenik, rikonstruksionin e teatrit, dhe shpalljen monument kulturë të godinës së Teatrit. Peticioni me firmat e deputetëve në vitin 2002 është tjetër dëshmi se asgjë nuk ka shkuar në vend, dhe sa pak besim të jep politika edhe pse tregohet “e gatshme” para mediave. Pas këtyre momenteve, është ngritur sërish aktori Robert Ndrenika i cili nuk ka munguar në asnjë takim të së hënës në Teatër, duke u duartrokitur gjatë nga të pranishmit, madje duke u ngritur në këmbë gjithë salla.
Ndrenika ka folur para deputetëve: “Faleminderit zotërinj deputetë që erdhët për të na mbështetur, edhe komshiu kur të qan hallin është gjë e madhe. Kjo që pamë është tregues, megjithatë do themi diçka: hë për hë është akoma në diskutim të prishet apo të mos prishet, hë për hë është akoma në diskutim edhe projekti që më tregoi kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Por u thashë porosi, që duhet të konsultoheshin me komunitetin dhe arkitektët, dhe m’u përgjigjën: Mos ki merak! Megjithatë deri tani nuk di të jetë konsultuar.
Shpesh herë them të bëhet një teatër i mirë, që të rrojë ndoshta 500 vjet. Por mendoj se më e shenjta nga të gjitha është Toka e këtij teatri. E kam thënë se ky është Jeruzalemi ynë që duan ta mbysin kryqëzatat e pesta apo e gjashta, cila ka mbetur. Dikur isha drejtor teatri kur një koleg, më thoshte të privatizojmë tokën e teatrit me argumentin pse i morën studiot të gjithë piktorët dhe skulptorët. Dhe një drejtor tjetër donte ta bënte me ligj që toka e teatrit është me tapi të teatrit, por edhe kjo nuk u pranua. Tani ne, që kemi 70- 80 vjet këtu, a nuk është gjynah të vijnë tre-katër biznesmenë të thonë se është e jona, ta marrin pa para dhe ta shesin 10 mijë euro metër/katror sipërfaqen. Prandaj ne duhet të mbrojmë tokën e këtij teatri se është e jona, e komunitetit”.
Përfaqësuesi i sindikatës së artistëve, aktori Alert Çeloaliaj pas fjalës së Ndrenikës u është drejtuar deputetëve që rezultonin të ishin nga forcat politike të PD-së dhe LSI, si dhe anëtarë të këshillit bashkiak të Tiranës. Çeloaliaj dha këto kërkesa: “Historia përsëritet, harrojmë se çfarë ndodh dhe nuk vëmë pikat mbi i, fakti që nuk kemi një status e bën më të prekshëm problemin tonë dhe, pas tyre vijnë të tjerat me të cilat po përballemi sepse na mungon statusi për këtë godinë. Arsyeja që ju kemi thirrur zotërinj deputetë është se kemi nevojë, në të kundërtën kjo e bën monolog çështjen tonë. Ne kemi nevojë për ndihmë nga gjitha forcat politike, dhe kjo përmblidhet për: ruajtjen dhe restaurimin e teatrit; kërkojmë statusin e godinës bashkë me territorin; kërkojmë një ligj për artin e kulturën; dhe rritjen e buxhetin të kulturës, që është më i ulëti në Ballkan…”.
Ndërsa aktori Neritan Liçaj u ngjit në skenë duke u shprehur ndër të tjera se: “Duhet të bëjnë transparencë për gjithë reformën ligjore, në dijeninë time kjo zonë historike e kategorisë A, nuk di të ketë ndonjë ndryshim të këtij statusi që ka kjo tokë, sepse për fat të keq qeveria ka vepruar fshehurazi. Unë dua të di se kush ka të drejtë në këtë tokë? Nëse qeveria ka të drejtë, atëherë tërhiqemi ne. Por nëse kemi ne, qeveria të mos abuzojë me këtë histori. Duhen hapur letrat, dhe ju deputetë mund ta bëni këtë gjë”.
Më pas deputetët janë ftuar të dalin në skenë për të thënë hapur qëndrimin e tyre për këto çështje, e sidomos për të firmosur peticionin për shpalljen monument kulture të Teatrit.
E para e ka marrë fjalën Grida Duma, deputetja e PD-së, e cila tha ndër të tjera se në këtë çështje përveç qëndrimit politik, ka qëndrim qytetar, individual. “Është me vend të theksoj dy-tre elemente që në botën tonë shqiptare duket luks i tepërt të flitet për teatrin, kulturën. Por jo, nuk ka luks tepërt për ëndrrën, imagjinatën dhe idealen. Në teoritë tona sociologjike po diskutohet elementi i ri: a ka peshë mendimi, si peshë fizike, sa influencon në botë dhe sa ndryshon historinë. Pa diskutim në gjuhën tonë të tranzicionit kemi folur për pronat, dhe gjëja e fundit që nuk duhej të kishim harruar është energjia e vërtetë dhe pesha e mendimit që ka dhënë elita shqiptare. Si e tillë ju nuk mund të diskutoni nëse keni të drejtë, në fakt duhet të na vijë turp që nuk kemi zgjidhur peshën shpirtërore të këtij vendi. Kjo po shkatërron gjithçka…Nuk kam asnjë dyshim se ky tempull shpirtëror duhet mbajtur”.
Ishte edhe deputeti i PD-së, Enkeled Alibeaj që u ngjit në skenë duke u kërkuar aktorëve që në këtë kauzë të kishte sinqeritet, përballë arrogancës qeveritare. Ndër të tjera Alibeaj tha: “Kemi ardhur se ka një interes të vërtetë publik, dhe kjo është çështja e identitetit tonë. Nuk kemi problemin te toka, statusi i Teatrit, por tek arroganca e pushtetit.
Kemi ardhur të ofrojmë çështjen e ekspertizës ligjore, së dyti edhe për të potencuar në publik çështjen tuaj dhe tonën, që duhet ndarë me ne. Kjo çështje s’është as e majtë dhe as e djathtë, për është çështje e identitetit. Do të gjeni mbështetjen te ne, grupet e punës, mbështetje në komisionet parlamentare”.
Edhe deputeti i LSI-së, ministër i Kulturës në vitin 2002 kur shpërtheu revolta kundër Ramës si kryetar Bashkie për të tjetërsuar pronën e Teatrit Kombëtar, Luan Rama tha se: “Janë komplekse çështjet në Teatër, kullat, godina por më thelbësorja është se Tiranës dhe Shqipërisë në mënyrë të qëllimtare po i shkatërrohet dhe vritet kujtesa; historike, kulturore, qytetare…
Kam qenë i lidhur me luftën që është bërë për mosshkatërrimin e teatrit në vitin 2002, dhe ju siguroj se jemi këtu jo thjesht në emër të partive që përfaqësojmë, por si pjesë e një kauze qytetare për të mbrojtur pronën tonë, pronën qytetare, kombëtare dhe nuk duhet të ketë sjellje tjetër përveçse Teatrin Kombëtar ta ndërtojë shteti”.