Ish Presidenti Bujar Nishani,ka reagur për protestën e qytetarëve kuksian në lidhje me taksën në Rrugën e Kombit.
Nëpërmjet një statusi në Facebook ai është shprehur se tani opozita ““ka për detyrë dhe mision që ta mbështese këtë reagim dhe protestë qytetare dhe të vihet në krye të saj”.
Z.Nishani në statusin e tij ka parashtruar edhe arsyet që çuan në këtë reagim popullor.
Statusi i plotë
Protesta e banorëve të Kukësit ka hyrë tashmë në simbolikën e fortë të revoltës popullore. Revoltë si reagim për padrejtësinë ndaj të drejtave të qytetarëve.
Si reagim ndaj korrupsionit që po varfëron çdo ditë e më shumë familjet shqiptare.
Si reagim ndaj fyerjes perverse që megallomania e madhështisë virtuale ju adreson dinjitetit të qytetarëve.
Si reagim ndaj prespektivës kërcënuese të jetës së fëmijëve të shqiptarëve.
Reagim ndaj disproporcionalitetit taksa-të ardhura, detyrime-shërbime, resurse-administrim, përgjegjësi-të drejta.
Reagim ndaj diskriminimit !
Protesta e zjarrtë e banorëve të Kukësit është indikatori më i saktë se çfarë mendojnë sot qytetarët shqiptarë, duke ju treguar metodologjinë e saktësisë sondazhistëve të milionave korruptive.
Qytetarët e kryen një pjesë të punës së tyre.
Ajo nuk ishte aspak një lëvizje lokale, nuk ishte një duf anti-bisnes, nuk ishte thjesht një përleshje antisistem, siç duan ta kufizojnë, kanalizuesit e oborrit.
Reagimi i tyre padyshim ishte politik !
Politika nuk është vetëm një konotacion partiak.
Politikë është çdo dimension i jetës sonë.
Sjelljet brutale ndaj qytetarëve dhe dimensionit shoqëror janë mirëfilli politike. Ndaj dhe reagimi, logjikisht që është politik.
Opozita e ka për detyrë dhe mision që ta mbështese këtë reagim dhe protestë qytetare dhe të vihet në krye të saj.
Opozita kurrësesi nuk duhet të kompleksohet nga zërat e sponsorizuar se “protesta është qytetare dhe partitë politike të qëndrojnë larg”. !!!
Ky është një diversion i ulët, i sponsorizuar nga pushteti me qëllimin që protestën e qytetarëve ta izolojë dhe ta lërë pa infrastrukturën e nevojshme.
Infrastrukturën për një reagim të suksesëshëm publik e kanë vetëm entet organizative që në rastin konkret janë veç partitë politike të mëdha.
E ashtuquajtura “shoqëri civile” në Shqipëri është deformuar dhe ndrydhur me platforma korruptive prej dekadash në këtë vend.
Zërat antikonformist janë margjinalizuar dhe margjinalizohen çdo ditë. Nuk kanë kurrë mbështetje financiare, hapsira komunikimi, akses trajnimi apo ndër-koordinim.
Ndaj opozita e ka dyfish më të madhe sot përgjegjësinë për ta koordinuar dhe prirë revoltën qytetare.
Opozita duhet të deklarojë publikisht, institucionalisht dhe seriozisht se të burgosurit e protestës së “Rrugës së Kombit” dhe çdo të përndjekur tjetër për shkak të protestuarit, ajo sapo të vij në pushtet, do ti konsideroj dhe trajtoj si të përndjekur politik.
Opozita duhet të deklarojë publikisht, institucionalisht dhe seriozisht se sapo të jetë maxhorancë në Parlament, ajo do të miratoj legjislacion hetimor për të gjithë ata prokuror dhe gjyqtarë që kanë marrë vendime politike kundër qytetarëve.
Qytetarët e burgosur të Kukësit dhe familjet e tyre janë vënë nën kërcënimin dhe shantazhin ekonomik.
Burgosja e tyre ka qëllim lënien pa bukë të fëmijve të tyre. Vetëm ashtu nënshtrohet një nënë dhe një baba.
Opozita duhet të shpalosë një aksion solidariteti social duke ndihmuar financiarisht familjet e të gjithë të burgosurve politik dhe atyre që mund të përndiqen për shkak të protestës me ndërgjegje të tyre.
Askush sot nuk mund të fshehë apo injorojë dot, as realitetin dhe as përgjegjësinë e vet.
As individi dhe as grupimi !