Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij sot përpara deputetëve të PS-së ka sulmuar dy herë prokurorin e çështjes Tahiri Besim Hajdarmatajn. Në akuza e sipër Rama përmendi çështjen e kokainës në Durrës, teksa përmendi se Arbër Çekaj e mbylli çështjen më herë përmes prokurorisë dhe Hajdarmataj.
“Ata që mendojnë se do të kthehen në pushtet për të rimarrë peng drejtesinë, por edhe e dinë më mirë se të gjithë ne se me çeljen e negociatave, drejtësia shqiptare bëhet një problem i madh për ta pasi ajo hyn në fazën e çeljes deri në fund te kapakëve të zullumeve të mëdha si dhe të lidhjeve reale të politikës me aktivitetet kriminale që nga pastrimi i parave me vulën e partisë e deri tek kuintalët e kokainës të fshehur nën banane me ndihmën e prokurorisë. Ata do ta paguajnë një për një edhe balta e tyre e bën punën e saj në mjegullën e mungesës së drejtësisë…”, tha Rama.
Rasti i dytë që Rama ka përmendur është kërkesa për arrestimin e Tahirit që sipas tij nuk ishte e mbështetur në prova. “Njëqind herë po të ktheheshim në atë shfaqjen famëkeqe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku u kërkua arrestimi i Saimir Tahirit, në parlament, njëqind herë ne do të mbanim të njëjtin qëndrim dhe unë do të mbaja të njëjtit fjalim.
Jo për mos të lëshuar njeriun tonë, por në mbrojtje të së drejtës kushtetuese, për të refuzuar një padrejtësi, të cilën Kushtetuta na e njeh mundësinë ta gjykojmë, kur prokuroria vjen në parlament. Nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve dhe nuk kemi njerëz që i kërcasin dhëmbët drejtësisë”, ka thënë Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar.
Pak ditë më parë Hajdarmataj u shkarkua nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga ana e Arta Markut. /faxweb.al/