Nën drejtimin e Presidentit Ilir Meta pasditen e sotme u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Çështjet e diskutuara në këtë mbledhje ishin: gjendja e sigurisë kombëtare dhe direktiva vjetore e sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018, kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm, emergjencat civile, siguria e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtja kibernetike.
Përsa e përket gjendjes së sigurisë kombëtare dhe direktivës vjetore të sigurisë së Republikës së Shqipërisë për vitin 2018 informoi Kryeministri Edi Rama.
Ndërsa për çështjet e tjera informacion dhanë anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, dhe forcimit të kontrollit të kufijve.
Po ashtu ai shprehu mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.
Ndërsa,raportet e Departamentit të Shtetit, Bashkimit Evropian dhe agjencive partnere të specializuara për këto çështje të rëndësishme, nënvizoi Presidenti i Republikës, janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qendrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe antarësimin në Bashkimin Evropian.