Reporteri i grupit të CDU për Shqipërinë në Parlamentin gjerman deklaron se, qeveria shqiptare duhet të sqarojë akuzat e ngritura ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Në një intervistë për “Panorama”, deputeti i partisë së kancelares Merkel, Thorsten Frei pohon se për këtë çështje duhet një hetim i pavarur, si dhe pranon se Gjermania do të mbledhë të gjithë informacionin për të formuluar qëndrimin për çështjen e negociatave.
Duke folur për një nga pikat më të debatuara të aktualitetit politik, lidhur me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Frei tha se po e ndejk rastin me shumë vëmendje.
“Po e ndjek rastin por nuk mund ta gjykoj ligjërisht. Duke marrë parasysh zbatimin e ligjit, është e rëndësishme se si e bëjnë këtë politikanët dhe gjykatësit. Kjo do të na tregojë ne se sa serioze është qeveria shqiptare në zbatimin e ligjit”,- tha Frei.
I pyetur se si do të reagonte qeveria gjermane nëse do të gjendej në të njëjtën situatë ku ndodhej ajo shqiptare përballë akuzave të opozitës se ministri i Brendshëm ka ndryshuar ligjet e reformës në drejtësi për të mbrojtur vëllain e implikuar në trafik droge, deputeti i CDU tha: “Këto janë akuza shumë serioze, mbi të gjitha duhet të jenë në interes të qeverisë shqiptare që t’i sqarojë këto pohime mjaft shpejt”.
Frei komentoi edhe rrëfimin e “dëshmitarit X’.
“Vendimtare për mendimin tim është sjellja e vetë ministrit. Duhet të jetë e qartë se ai nuk e ka shkelur ligjin për të mbrojtur vëllanë dhe kjo kërkon një hetim të pavarur. Sa i përket vendimit për çeljen e negociatave, ne do të mbledhim të gjithë informacionin në dispozicion do të përpilojmë një tablo të përgjithshme dhe do të formulojmë rekomandimin tonë në përputhje me rrethanat”,- tha deputeti gjerman./Panorama.com.al/