×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 53

Trau që ndau Shqipërinë dhe Kosovën

Saturday, 07 Prill 2018 22:10

Tarifa e re në Rrugën e Kombit ka minuar përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë dhe Kosovës për të rritur nivelin e bashkëpunimit ekonomik. E ardhmja do të jetë edhe më e vështirë prej lidhjeve të reja rrugore dhe hekurudhore të Kosovës me Shkupin, Serbinë dhe Beogradin, të cilat synojnë rikthimin e marrëdhënieve ekonomike me ish-federatën, duke i lënë në mes aspiratat e shqiptarëve.

Shteti i ri i Kosovës, përveçse ka ndryshuar hartën politike të rajonit të Ballkanit në dekadën e fundit, po ndryshon edhe profilin e tij tregtar. Më të vjetrat, Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi janë në garë për të përvetësuar sa më shumë nga torta 3 miliardë euro e importeve vjetore të Kosovës.

Me gjithë“përpjekjet” tona për të pasur një lloj dominimi në tregun e Kosovës, pas ndërtimit të autostradës së re më 2009 dhe përparësive të të qenët i njëjti komb, rezultatet nuk janë edhe aq mbresëlënëse. Vitin e kaluar, 14.8% e importeve të Kosovës ishin nga Serbia, 12.4% nga Gjermania, 9.6% nga Turqia, 9% nga Kina, 6.5% ishin nga Italia, 5,1% ishin nga Maqedonia dhe 5% nga Shqipëria.

E nxitur nga motivimi kombëtar, ish-qeveria Berisha, rreth 10 vjet më parë ndërtoi autostradën moderne Milot- Morinë. Fqinjët e tjerë të Kosovës, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia ndërkohë i kishin të çimentuara pozicionet e tyre, për shkak të trashëgimisë që la ish- federata jugosllave me lidhje hekurudhore dhe rrugore dhe me një traditë të fortë tregtare.

Pas ndërtimit të Autostradës së Kombit, volumi tregtar Shqipëri – Kosovë u rrit me 188% gjatë 2009-2017, porbaza e ulët nga ku nisi tregtia nuk i bën shifrat entuziaste dhe sot, Shqipëria ka dominancën më të ulët në tregun e Kosovës.

Por, siç duket, gara në të ardhmen do të vështirësohet, për shkak të taksës së kalimit në Rrugën e Kombit dheinvestimeve të mëdha infrastrukturore që po bën Kosova me vendet e tjera të rajonit.Këtë vit bëhet funksionale autostrada e re Prishtinë – Shkup, që shkurton distancën vetëm me 60 kilometra mes vendeve, teksa bizneset e Kosovës mund të arrijnë Portin e Selanikut vetëm për tre orë, duke paguar vetëm 7.5 euro në stacionin Kledi Toll Plaza.

Serbia, nga ana tjetër, ka programuar të nisë këtë vit ndërtimin e autostradës Nish-Merdarë, me gjatësi 70 kilometër, e cila do të shkurtojë distancën mes Beogradit dhe Prishtinës. Projekti kushton 650 milionë euro dhe gjysma e tij do të financohet nga nisma e Berlinit. Aktualisht, Kosova, pjesën më të madhe të volumit tregtar e zhvillon me Serbinë, ndaj me ndërtimin e rrugës, tregtia do të zgjerohet.
Mali i Zi është në bisedime për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore me Kosovën, e cila ka marrë mbështetjen e BERZH. Projekti do të zhvillohet në pesë vitet në vijim.

Beteja për të dominuar tregun e ri të Kosovës i ka vënë në garë vendet e Ballkanit, teksa Shqipëria jo vetëm që nuk po tenton të zgjerojë territorin, por po humbet edhe pjesën që ka.
Taksa e re në Rrugën e Kombit që nisi së fundmi, 5 euro mbi veturat dhe 22.5 euro mbi kamionët, i ka vënë një barrierë të re tregtisë mes dy shteteve të të njëjtit komb, e cila ka gjasë të përkeqësohet më shumë nga efekti psikologjik që po krijon pagesa.

Një kamioni me mallra që ka destinacion Kosovën i duhet të paguajë brenda territorit shqiptar pa llogaritur tarifat doganore dhe ato portuale 67 euro, nga të cilat 22 euro kushton tarifa e skanimit në dogana, 45 euro kushton pagesa në Rrugën e Kombit vajtje-ardhje. Këto janë taksa ekstra që bizneset e Kosovës nuk i paguajnë me asnjë nga partnerët e tjerë tregtarë.

Safet Gërxhalliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se, bizneset dhe qytetarët e Kosovës ndihen të ofenduar nga taksa e re e rrugës që, sipas tij, është përtej çdo logjike ekonomike.

Ai pohoi se vendet e rajonit janë vënë në një garë të fortë për tregjet e Kosovës dhe përtej patriotizmit, bizneset do të shikojnë leverdinë së pari. Edhe pa këtë tarifë, Kosova kishte më shumë barriera tregtare me Shqipërisë se sa me ish-shtetet e federatës.

Por tani me tarifimin eRrugës së Kombit, duket se është krijuar një mur i pakapërcyeshëm si në drejtim të lëvizjes së mallrave dhe të njerëzve, duke thelluar hendekun e bashkëpunimin në të gjitha aspektet. Përtej dëmit në rang kombëtar qeveria e Shqipërisë me vënien e taksës ka izoluar qarkun më të varfër të vendit, atë të Kukësit.
Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi rajonal në Kukës ka rënë me 13% gjatë periudhës 2011-2015, teksa është qarku me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë. Taksa e re në Rrugën e Kombit do të përkeqësojë ekonominë e këtij rajoni, i cili edhe sot i është kthyer emigracionit masiv.

Shqiptarët e tjerë po e paguajnë shumëfish Rrugën e kombit, qysh me taksën e solidaritetit (1999-2002) e cila u transferua më vonë në taksën e qarkullimit të makinave, 32 lekë taksë qarkullimi për çdo litër karburant dhe së fundmi (përfshirë TVSH), pagesat direkte që do t’i jepen koncesionarit. Por ekspertët e ligjit dhe ata të biznesit thonë se ka shpresa për uljen e nivelit të taksës. Gërxhalliu nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se, do të çojnë tarifën koncesionare në Gjykatën Ndërkombëtare.

Shqipëria dëmtohet në turizëm

Qindra hotele në vend, sidomos në bregdetin e Adriatikut, Durrës, Shëngjin dhe Velipojë u ndërtuan për shkak të nxitjes që patën nga turistët e Kosovës. Oda Ekonomike e Kosovës llogarit se shpenzimet për turizëm në Shqipëri, në një vit fiskal, kalojnë të 400 milionë eurot. Mirëpo edhe pa vënien e taksës, shqiptarët nga Kosova kanë nisur të braktisin pushimet në Shqipëri, për shkak se ndihen të diskriminuar në shërbime dhe në çmime. Në vitin 2017 e vizituan vendin rreth 1.2 milionë shtetas nga Kosova, ose 19% më pak se në vitin 2016.

Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...