Kryeredaktori i gazetës ‘Rilindja Demokratike’, Blendi Kasmi ka treguar mbrëmjen e sotme detaje të reja në lidhje me plagosjen e tij gjatë protestës së të shtunës. Ai është shprehur se në protestë ka qenë si gazetar dhe jo si protestues.
Duke folur në studion e ‘Opinion’, Kasmi tregoi se u gjet në një pozicion jo të duhur, ndërsa ishte duke realizuar disa fotografi për ti postuar menjëherë në versionin online të gazetës së RD.
Kryeredaktori deklaroi se sulmi ndaj tij erdhi për shkak të detyrës, pasi ishte i vetmi që u sulmua. Në lidhje me shtyrjen e paretës metalike të gardhit rrethues, tha se nuk kishte rrugë tjetër, pasi duhej të shpëtonte se situata u vështirësua, duke nënkuptuar se nuk ishte pjesë e protestuesve, por pjesë e shtypit.
‘Shkopi që më goditi nuk është i gomës, por është një shkop metalik hekuri. 10-15 centimetrat e para që i paska gome, ky shkop, pjesën e tjetër e ka prej hekuri. Ai është një shkop me hekur’,- tha Kasmi.
Kryeredaktori i RD-së, tregoi në lidhje me atë se çfarë bëri gjatë kohës kur u godit nga policia në kokë, gjatë kohës që po raportonte për gazetën që drejton prej disa vitesh.