Obeziteti është tashmë një nga problemet më serioze në drejtim të shëndetit të njeriut. Vitet e fundit kemi një rritje drastike të numrit të popullatës që vuan nga obeziteti. Nëse do të krahasojmë të sotmen me të kaluarën, mund të themi që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (i referohemi SHBA-së për shkak të numrit të lartë të studimeve dhe statistikave) sot kemi 3 herë më shumë fëmijë obezë se në vitet 1970. Pra, në 50 vite numri është 3- fishuar.
Në një studim të bërë në vitin 2015-2016, u pa që 1 në 5 fëmijë të moshës 6-9 vjeç janë obezë.
Faktorët që çojnë në obezitet:
Faktori gjenetik. Pra, shumë fëmijë për arsye gjenetike të trashëguara kanë një predispozicion për të pasur obezitet. E kundërta, ku për shkak të gjenetikës disa persona mund të jenë dhe shumë të dobët.
Mënyra e jetesës. Mënyra e jetesës ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë 15-20 vitet e fundit. Këtu futet mënyra e ushqyerjes, aktiviteti fizik, pra çfarë ky fëmijë bën gjatë ditës.
Nëse një fëmijë do të marrë sasi më të madhe ushqimi se nevojat e tij dhe ajo çka harxhohet, do bëjë një jetë sedentare, sigurisht do të kemi shtim në peshë.
Shtimin në peshë e shohim kohët e fundit lidhur me mënyrën e jetesës edhe në vendin tonë. Gjithmonë e më shumë konsumohen ushqime të shpejta, të pasura me yndyra, salca të ndryshme, të shijshme për momentin por jashtëzakonisht problematike për shëndetin më vonë.
Një shprehje më se e vërtetë është ajo “Ne jemi çfarë hamë!” Pra, një individ nuk do të ketë çrregullime të peshës nëse eliminon yndyrat, merr sa më pak sheqerna dhe njëkohësisht do të shtojë aktivitetin fizik.
Aktiviteti fizik. Gjithmonë e më shumë po shohim fëmijë që rrinë para aparateve elektronike (televizor, kompjuter, smartfona) të izoluar me veten e tyre. Shumë pak fëmijë shohim të luajnë jashtë, që të kenë mundësi dhe të harxhojnë kaloritë që marrin gjatë ditës.
Obeziteti është një faktor potencial rreziku për shëndetin e fëmijës
Ne themi që një fëmijë obez do të vazhdojë të jetë obez dhe në moshë adulte dhe është i predispozuar për të patur disa patologji edhe në këtë moshë.
Në radhë të parë, gjithmonë e më shumë po rritet numri i fëmijëve me diabet tip 2, që është karakteristikë e moshës mbi 40 vjeç.
Janë të rrezikuar nga sindromi i insuliono rezistencës si pasojë e problemeve të diabetit.
Janë të predispozuar për të patur astmë bronkiale.
Janë të predispozuar për sëmundje të zemrës.
Janë të predispozuar për të rënë në gjendje depresive ose izolim social.
Ndikimi i obeziteti në zhvillimin seksual
Këta fëmijë mund të kenë patologji të ndryshme si pasojë e çrregullimeve hormonale që sjell obeziteti. Pesha e madhe tek këta fëmijë bën që të ketë ulje të receptorëve androgjenik. Pra, një mashkull nëpërmjet qelizave në teste do të prodhojë testosteronin, por, në rastin konkret, duke qenë se këta fëmijë kanë ulje të mbaresave apo receptorëve androgjenik, bën që fëmijët obezë, në krahasim me shumë të tjerë, të kenë mos zhvillim apo të rrezikojnë për një zhvillim të ngadaltë.
Fëmijët obezë zakonisht kanë një penis më të vogël. Mund të mos zhvillohen testet, gjë që sjellin pasoja serioze në të ardhme. Kjo duket më shumë në moshën e pubertetit, ku ky fëmijë do të ketë mangësi në nivelin e testosteronit, një hormoni kaq të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit seksual për një mashkull.
Një vonesë në pubertet ndikon jo vetëm në zhvillimin e organeve seksuale, por dhe në uljen e aftësisë riprodhuese. Këta fëmijë janë të predispozuar të kenë një ulje të numrit të spermatozoideve. Një person obez është gjithmonë i predispozuar për të patur problem me infertilitetin.
Si e përcaktojmë obezitetin?
Për të përcaktuar obezitetin na vjen në ndihmë ajo që quhet BMI (Indeksi i Masës Trupore). BMI nuk është gjë tjetër veç se një raport ndërmjet peshës së fëmijës dhe gjatësisë në katror (BMI=kg/m2). Tek të rriturit statistikat tregojnë që nëse do të kemi një BMI=25-30, pra, sa më e lartë të jetë BMI, aq më i rrezikuar është personi që të ketë sëmundshmëri.
Në rastin kur fëmija është obez, ne bëjmë një diferencë: Ky fëmijë është obez por do të ketë pak mundësi ose aspak mundësi për të patur patologji në të ardhmen apo do të ketë një vonesë puberteti. Në rastin konkret duhet ndihma e mjekut, dhe një nga momentet është për të diferencuar atë që quhet sindroma klinefelter, një patologji jashtëzakonisht e vështirë për t’u përcaktuar dhe diferencuar në moshën e pubertetit.
Gjithashtu janë dhe problemet e hypogonadismit apo dëmtime të tjera hormonale, pra mungesës së testosteronit, që janë shumë të vështira për t’u diferencuar në moshën e pediatrisë. Këta fëmijë diferencohen mirë vetëm në moshën e pubertetit, atëherë kur një djalë kalon nga mosha e fëmijërisë për të shkuar në moshën i ri dhe fillojnë e dalin shenjat sekondare seksuale (fillon e rritet dëshira e seksit mashkull për femrën, fillon masturbimi, ndodh qimëzimi etj). Pra, në rastin konkret, para moshës 12 kur nuk ka filluar akoma puberteti, janë jashtëzakonisht të vështira për t’u diferencuar, sidomos tek fëmijët obezë.
Obeziteti tek meshkujt, faktor risku për impotencë dhe disfunksion erektil
Një person obez është më pak aktiv, më pak i dëshiruar dhe më pak i stimuluar seksualisht. Obeziteti tek këta persona luan rol shumë negativ në drejtim të marrëdhënieve seksuale, sidomos në disfunksionin erektil. Gati 25% e meshkujve që vijnë për t’u konsultuar për disfunksionin erektil janë obezë. Akoma më keq nëse do të jesh obez por pi dhe duhan.
Pra, në punën tonë ne konstatojmë që shkaktarë për impotencën dhe disfunksionin erektil është dhe obeziteti.
Megjithatë, ka një gjë që vlen për t’u theksuar: Personat obezë, pasi fillojnë dhe merren me aktivitet fizik dhe bien në peshë, rifitojnë aftësitë e tyre riprodhuese njëjtë si para se të bëheshin obezë.
/Evin Dani, mjek androlog/