Vetëm 12% e prodhimit të qumështit në vend është i destinuar për kompanitë e përpunimit në vend. Problematikë kryesore e sektorit vijojnë të mbeten copëzimi i fermave, çka ul produktivitetin e tyre dhe detyron që kompanitë e përpunimit t’i drejtohen rajonit për të marrë lëndë të parë. Ndryshimet fiskale në 2019-n kanë vënë në vështirësi kompanitë e përpunimit, të cilat kanë tkurrur fitimet, thotë Nikolin Jaka, përfaqësues i “Zepa Natyral” dhe Kryetar i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë, Tiranë në një intervistë për Monitor.
Në 2018-n, kompanitë e mëdha njohën zgjerim të të ardhurave nga aktiviteti, edhe si pasojë e formalizimit të mëtejshëm të sektorit. Si ishte situata gjatë 2019-s?
Është ende shpejt për të bërë një analizë të saktë të shitjeve në sektorin e qumështit për vitin 2019, por siç u theksua më lart, pavarësisht rritjes së volumeve të përpunimit dhe shitjeve, ajo çfarë mund të thuhet me siguri është se marzhet e fitimit për kompanitë përpunuese në këtë sektor kanë rënë dukshëm, si pasojë e problematikës së krijuar rishtazi me skemën e rishikuar të TVSH, por edhe të presionit të vazhdueshëm nga tregu informal dhe konkurrenca e shtuar nga produktet e importit.
Diferenca negative prej 8 lekë për çdo litër qumësht të grumbulluar nga fermerët e vegjël, si rrjedhojë e skemës së rishikuar të rimbursimit të TVSH-së për fermerët e vegjël, ka ndikuar direkt në uljen e marzhit të fitimit për përpunuesit e qumështit në këtë sektor. Nëse marrim në konsideratë se sektori punon me marzhe shumë të ulëta fitimi, kjo barrë fiskale e shtuar mund të ndikojë në rezultat financiar negativ për kompanitë përpunuese, pavarësisht rritjes së volumit të shitjeve gjatë vitit 2019.
Të dhënat nga doganat tregojnë se një pjesë e mirë e lëndës së parë (qumështit) po importohen nga vendet e rajonit, shpesh edhe me çmim më të lirë. Cilët janë faktorët për të cilët qumështi nga vendet e rajonit po bëhet i rëndësishëm për kompanitë vendase? Pse qumështi në vendet e rajonit vjen me një çmim më të lirë?
Gjatë nëntëmujorit 2019, importet e qumështit të papërpunuar arritën në 13 mijë tonë sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo sasi përbën rreth 10% për qind të sasisë së qumështit që u grumbullua vitin e kaluar nga fermat shqiptare për përpunim, sipas të dhënave të INSTAT-it. Risi gjatë vitit 2019 ishte rritja e volumit të qumështit të pasterizuar, importuar dhe transportuar në tanke nga vendet e Ballkanit, për përpunim të mëtejshëm nga përpunuesit vendas.
Fabrikat e përpunimit të qumështit gjithnjë e më shumë po kërkojnë tregun rajonal për të importuar lëndën e parë, tendencë e cila nënkupton dobësimin e mëtejshëm deri në faliment për fermerët shqiptarë. Peshën kryesore e zë kategoria “qumësht” me rreth 12.3 mijë tonë qumësht të importuar gjatë 9-mujorit, produkte të cilat karakterizohen nga një çmim më i ulët (mesatarisht rreth 50 lekë për litër çmim fature) krahasuar me çmimet e produkteve vendore.
Peshën kryesore në sasi e zë importi nga Serbia (38%), nga Italia (30%), nga Bosnja (11%) dhe nga Maqedonia e Veriut (9.7%). Çmimet e qumështit nga vendet e rajonit janë më të ulëta krahasuar me koston e përpunimit të qumështit në vend, duke bërë që industria e përpunimit të qumështit të kërkojë lëndën e parë nga rajoni, me një konkurrencë të fortë për fermerët vendas.
Është rritur ndjeshëm sasia e qumështit të pasterizuar të importuar me cisterna nga Serbia, Maqedonia dhe Bosnja (31% e sasisë totale të qumështit të importit apo rreth 425 tonë/muaj). Mbi 40 për qind e kësaj sasie u importua nga Serbia, për shkak së çmimi i importit është më i lirë së blerja e qumështit të papërpunuar nga fermerët në tregun vendas.
Importues ishin fabrikat më të mëdha në vend, që e përdorën këtë produkt si lëndë të parë. Kjo tendencë u kushtëzua më së shumti gjatë vitit 2019 edhe nga humbja e shkaktuar nga skema e rishikuar e rimbursimit të TVSH-së për fermerët e vegjël. Faktor tjetër dominues është edhe standardizimi më i lartë i kontrollit dhe cilësisë së qumështit në vendet e rajonit, rrjedhojë e masave të marra nga vendet respektive për rregullimin e sektorit të qumështit në ferma.
Si ka qenë ecuria e çmimit të qumështit në vend?
Çmimi i blerjes së qumështit nga fermeri është 45 – 60 lekë me TVSh. Një kilogram qumësht i pasterizuar nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina u faturua gjatë vitit 2019 me 40 – 42 lekë për kilogram, e ndjekur nga Maqedonia me 45 lekë për kilogram. Për sa u përket çmimeve të vendeve të BE-së, çmimi i qumështit në ferma është i monitoruar dhe raportuar rregullisht nga Komisioni Europian. Për vitin 2019, çmimi mesatar i qumështit ka qenë rreth 35 cent për litër (rreth 43 lekë), që varion midis shteteve nga 30 – 40 cent (me përjashtim të Qipros dhe Maltës që karakterizohen nga çmime të larta të qumështit në ferma.
Si është situata me produktet e bulmetit që vijnë nga importi (veçanërisht për qumështin me UHT)?
Bilanci tregtar i produkteve të bulmetit tregon një deficit strukturor, por shumë më të ulët nëse krahasohet me nënsektorin tjetër të blegtorisë. Për periudhën janar – shtator 2019, në Shqipëri janë importuar në total rreth 25 milionë euro produkte bulmetore (vlera mesatare mujore rreth 2.75 milionë euro), ku peshën kryesore e zë kategoria “djathë” (37%) dhe kategoria “qumësht” (25%). Kategoritë e tjera të nënprodukteve të importuara janë “kos”, “qumësht pluhur/ i kondensuar”, ndjekur nga kategoritë e nënprodukteve “pana/krem” dhe “gjalpë”.
Për të njëjtën periudhë, vlera e eksporteve për produktet bulmetore arriti në 1.56 milionë euro, rreth 6.3% e vlerës së importuar për të njëjtat kategori produktesh. Peshën më të madhe në eksport e zë kategoria “qumësht” (68%) dhe kategoria “djathë” (21% të vlerës së eksporteve në total për produktet bulmetore), kryesisht drejt tregut të Kosovës. Produktet e importit konkurrojnë në çmim me produktet vendase, ndihmuar edhe nga lehtësitë fiskale të krijuara për mbështetjen e tregtisë së lirë midis vendeve të rajonit, si dhe me vendet e BE-së.
Sektori i grumbullimit dhe përpunimit të qumështit prej vitesh investon në kapacitetet e veta përpunuese? Sa është mundësia që të fitojë terren në tregjet rajonale?
Sektori i qumështit trajtohet me shumë kujdes nga të gjitha vendet, nëpërmjet hartimit të politikave shumë proteksioniste në funksion të prodhimit vendas dhe nxitjes së eksporteve. Për fat të keq nuk mund të themi të njëjtën gjë për politikat e ndërmarra deri tani në Shqipëri. Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri ka bërë hapa të mëdhenj në përmirësimin e teknologjisë për përpunimin dhe ambalazhimin e produkteve blegtorale. Pavarësisht kësaj, kompanitë shqiptare që operojnë në këtë sektor nuk lejohen të eksportojnë nënproduktet e qumështit në vendet e BE-së apo edhe në vendet e rajonit (përveçse në Kosovë).
Pengesat për gjetjen e tregjeve në eksport nuk lidhen me cilësinë e produktit apo me standardet e përpunimit të qumështit në vend, por me mangësitë në kuadrin e përgjithshëm të zbatimit të politikave institucionale në shkallë vendi. Kjo bën që tregu potencial të jetë vetëm tregu i brendshëm, ku 60% e konsumit të produkteve blegtorale, siç analizuam më lart, nuk kalon fare nga sektori i përpunimit, duke përbërë potencial për zhvillimin e tregut informal.
Marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë favorizuar vendet e rajonit dhe të Evropës për të importuar qumësht dhe nënprodukte të tij në Shqipëri, por jo anasjelltas, për sa kohë Shqipëria ende ka hapa të mëdha për të bërë në reformën e cilësisë, kontrollit dhe gjurmueshmërisë së qumështit si lëndë e parë.
Aktualisht po flitet për Minishengenin ballkanik. Çfarë përparësish apo rreziqesh mund të prekin industrinë tuaj?
Projekti i Minishengenit Ballkanik është ende në koncept dhe i padetajuar në kushte dhe procedura, por le të themi së lehtësimi i mëtejshëm i tregtisë dhe procedurave doganore midis vendeve është një nga çështjet e rëndësishme të tij, me qëllim uljen e kostove administrative për tregtinë midis vendeve të Ballkanit. Përpara së të negociohet për lehtësim të mëtejshëm të procedurave dhe tarifave, qeveria shqiptare duhet të kishte një strategji të qartë të zhvillimit të ekonomisë sipas sektorëve strategjikë dhe avantazheve konkurruese, të cilët duhen nxitur dhe mbrojtur për t’u përballur me konkurrencën rajonale.
Shumica e vendeve të rajonit, kryesuar nga Serbia, tashmë kanë marrë masat dhe kanë bërë punë përgatitore për t’i mundësuar produktet e tyre të jenë konkurruese në kosto dhe në cilësi, jo vetëm në rajon por edhe në vendet e BE-së, duke i bërë rregullat e lojës jo të barabarta për operatorët vendas. Serbia ka miratuar masa lehtësuese të ndryshme, të cilat synojnë të subvencionojnë në mënyrë direkte apo indirekte prodhimin vendas, në të gjithë ciklin e prodhimit, sidomos për sektorin e përpunimit të qumështit, lehtësira të cilat janë reflektuar ndjeshëm vitin e fundit në uljen e çmimit të qumështit në Serbi, duke stimuluar jo vetëm konsumin vendas, por rritjen potenciale të eksporteve në rajon.
Prandaj është shumë e rëndësishme që këto nisma të jenë të mirëkoordinuara brenda vendit, të ketë gjithëpërfshirjen e palëve të interesuara, në funksion të mbrojtjes së prodhimit vendas. Qeveria duhet të përmbushë të gjitha “detyrat e shtëpisë” përpara se të heqë akoma më shumë barrierat për operatorët e huaj për të ofruar produktet e tyre në tregun shqiptar, përndryshe, të paktën për sektorin e qumështit mund ta themi me siguri të plotë se operatoret vendas janë të papërgatitur për të përballuar rregullat e një gare rajonale me kushte jo të barabarta.