“Me mua më shumë krenohet mami, sot mund të isha te Roma”

Premte, 01 June 2018 21:19

Thomas Strakosha, portieri i kombëtares që aktivizohet te Lazio, ka rrëfyer karrierën e tij te përfaqësuesja kuqezi. Në një intervistë për ‘rtsh sport’ 22-vjeçari ka prekur mjaft tema, ku më interesantja ka qenë ndryshimi mes De Biasit dhe Panuçit.

“Pritja e Dibalës ishte arritja më e madhe në këtë sezon për mua, pasi i dhashë fitores ekipit në minutën e 96-të, duke pritur atë penallti. Unë dua gjithmonë maksimumin nga vetja. Kam gabuar, por nga ato mësoj për vazhdimin.

Ndryshimi me Berishën është vetëm mosha. Ne jemi miq me njëri-tjetrin dhe në Kombëtare asnjëherë nuk e mendojmë se kush do të luajë. Kemi shumë shanse në Ligën e Kombëve, por duhet të njihemi fillimisht me njëri-tjetrin.

Miqësoret do e ndihmojnë Shqipërinë që futbollistët të njohin forcën e tyre, pasi kanë ardhur shumë prurje të reja. Megjithatë sipas asaj që mendoj unë, kemi një Kombëtare vërtet të fortë.

De Biazi ka bërë historinë e tij me kombëtaren shqiptare. Ne Europianin e parë që zhvilluam, e kemi bërë me De Biazin. Gjithashtu ky trajner besoi në debutimin tim. Tashmë Panuçi e ka edhe më të vështirë, pasi kanë ardhur shumë lojtarë të rinjë dhe mund të them se e nisim nga 0.

E kam parë shumë pak Panuçin deri në këtë moment, por lojtarët duhet të sillen si ushtarë me të. Me De Biazin e kishim më të lehtë kur stërviteshim.

A mund të bëhesha portier nëse nuk do të kisha baba Foto Strakoshën? Pyetje e vështirë. Ai më ka pëlqyer që i vogël, prandaj zgjodha të bëhesha portier edhe unë. Nëse nuk do të ishte babi, mund të luaja sulmues, por normalisht që do të isha pjesë e futbollit, sepse për mua është vetë jeta.

Familja më ka mbështetur gjithmonë dhe më ka mësuar që asnjëherë të mos pres nga të tjerët, por të arrijë gjithçka në saj të vetes sime. Gjithmonë më kanë shoqëruar komentet se jam këtu vetëm falë Foto Strakoshës, por nuk më shqetësojnë këto reagime, sepse e di që do i kem gjithë jetën time.

E vërteta është se mund të shkoja edhe te Roma, por shyqyr Zotit që erdha te Lacio. Sigurisht që ka ndikuar edhe drejtori sportiv, Igli Tare, që me personalitetin e tij ndikon edhe në anën psikologjike të skuadrës, pasi ka një plan për të gjithë afrimet që ai bën.

Momenti i vështirë ishte edhe konkurrenca me Marketin, por mund të them se është edhe një gjë e bukur njëkohësisht. Me mua krenohet më tepër mami, pasi babi është i rreptë, pa harruar këtu edhe Taren. Më pëlqen futbolli spanjoll pasi është taktik dhe i shpejtë. Por edhe për mënyrën e jetesës, pasi edhe koha atje është e mirë, jo e ftohtë si në Angli”, ka thënë Strakosha.

Login to post comments