Dita e sotme rezervon disa ndeshje shumë interesante për tifozët e Kupës së Botës. Që prej orës 12:00 dhe deri në 21:00, do të luhen katër ndeshjet e grupeve C dhe D.
Franca, nënkampione e Evropës, do të kenë testin e parë kundër Australisë, një prej kundërshtarëve jo më të fortë me të cilët ata do të përballen në Botëror. Ndeshja do të luhet në orën 12:00, në stadiumin e Kazan.
Në orën 15:00, Lionel Messi do të zbresë në fushë me ekpin e Argjentinës, ku do të kërkojë fitoren e parë në këtë kampionat kundër Islandës, një ekip që ka njohur rritje të konsiderueshme vitet e fundit. Në stadiumin Spartak, argjentinasi do të kërkojë t’i kundërpërgjigjet rivalit të tij, Cristiano Ronaldo, që ditën e djeshme shënoi tre gola kundër Spanjës.
Peruja dhe Danimarka do të kërkojnë maksimumin në stadiumin e Saransk. Këto dy skuadra shihen si rivale të njëra-tjetrës për vendin e dytë në grupin C, ku favorite konsiderohet Franca. Ndeshja do të luhet në orën 18:00.
Ndeshjet e ditës së sotme do të mbyllen në orën 21:00 më përballjen Kroaci-Nigeri. Gabimet nuk tolerohen në këtë ndeshje, si për ballkanasit ashtu edhe për afrikanët. Grupi D, ku bëjnë pjesë Argjentina dhe Islanda, konsiderohet më i vështiri i këtij kampionati botëror. Ndeshja do të luhet në stadiumin e Kalingradit.