Danimarka e ka nisur Botërorin në mënyrën e duhur, duke marrë tri pikët në ndeshjen e parë në Rusi dhe duke iu bashkuar Francës në kreun e Grupit C me 3 pikë.
Ka qenë një fitore me fat për danezët, të cilët duhej të kishin kaluar në disavantazh në fundin e pjesës së parë, por Cueva ka gabuar keqas penalltinë e akorduar nga sistemi “VAR”.
Goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur në minutën e 59-të dhe është realizuar nga Pulsen, i cili nuk ka gabuar i vetëm përballë portierit.
Amerikanojugorët janë hedhur në sulm pas pësimit të golit dhe kanë shkuar disa herë afër barazimit, por janë treguar të pasaktë në momentin e fundit dhe nuk kanë arritur ta shmangin humbjen.
Ky rezultat e lë në vendin e fundit Perunë, që në ndeshjen e ardhshme do të luajë kundër Francës, ndërsa danezët do të përballen me Australinë.