Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Maradona, ka dalë në mbrojtje të Lionel Messit, pasi superylli i Barcelonës humbi penalltinë në ndeshjen kundër Islandës.
Në barazimin (1-1) të dy përfaqësueseve që bëjnë pjesë në Grupin D, lojtari kryesor i Albicelestëve pati shansin të shënonte golin e epërsisë, mirëpo portieri kundërshtar, Hannes Halldorsson, ia priti penalltinë.
Sidoqoftë, Maradona ka thënë se edhe lojtarët më të mirë gabojnë nga pika e bardhë, ndërsa si shembull ka marrë veten.
“Kam humbur pesë penallti radhazi dhe sërish kam qenë Diego Armando Maradona”, është shprehur fituesi i Kupës së Botës për “Telesur”.
“Ndeshja dhe dy pikët e humbura nga skuadra nuk janë pasojë e penalltisë së tij. Ai e tregoi fytyrën e tij duke dhënë gjithçka që kishte. Ai e kreu punën e tij. Kur e shihja në fushë, ishte shumë i nevrikosur. Ashtu si do të isha edhe unë. Ishte gjithmonë ai, vazhdimisht duhej të shmangte dy lojtarë dhe kur e bënte këtë, askush nuk ishte i hapur”, ka shtuar Maradona.