Skuadra e Teutës vijon përgatitjet për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e trajnerit korçar Blendi Shkëmbi dhe ndihmësve të tij.
Paralelisht me punën në fushë, durrsakët vijojnë të jenë shumë aktivë edhe në merkato, ku po mundohen të sjellin elementët e duhur, për të shmangur një paraqitje si ajo e sezonit të kaluar. Kështu pasditen e djeshme Teuta ka prezantuar afrimin e sulmuesit senegalez Boubacar Traore, i cili do të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Shkëmbi, shkruan Supersport.
20-vjeçari është formuar si futbollist në Torino të Italisë, ndërsa sezonin e fundit ka luajtur për skuadrën malteze Tarxien Rainbows dhe shikohet si një lojtar me të ardhme për t’u konsideruar.
Më herët këtë javë Teuta afroi në portë ish portierin e kombëtares shqiptare, Isli Hidin, duke shtuar eksperiencën në skuadër, ndërsa ditën e djeshme njoftoi edhe akordin me mesfushorin e shpresave, Ardit Deliu. TCH