Shefi ekzekutiv i Bayern Munich, Karl Heinz Rummenigge ka mbetur i befasuar me vendimin e kampionëve në fuqi të Italisë, Juventusit për shpenzimet e mëdha të bëra në këtë merkato vere, sidomos shuma e derdhur për Cristiano Ronaldon.
“Blerja e Ronaldos është blerja që ka tërhequr më shumë vëmendje. Unë e kuptoj, është një futbollist që ka fituar gjithçka me Real Madridit. Për pesë vite ka qenë lojtari më i mirë në botë. Por, çështjet e marketingut kanë luajtur një rol jo të vogël në transferimin e tij te Juventusi. Gjithsesi, Bayerni nuk do të investonte kurrë kaq shumë para për një futbollist 33-vjeçar. U habita që Andrea Agnelli vendosi të ndërmarrë një lëvizje të tillë. Nga këndvështrimi i Juventusit, transferimi i Ronaldos ka kuptim. Me këtë lëvizje, në Itali shpresohet që të rifitohet vëmendja e të gjithë botës futbollistike”,-tha mes të tjera Rummenigge.
Në fund ai tha se PSG dhe Manchester City e kanë prishur tregun e transferimeve duke ofruar shumë të mëdha.