Shkëndija do të presë nesër në Shkup Salcburgun nga Austria, në kuadër të turit të tretë eliminator në Ligën e Kampionëve. Humbja 3-0 në takimin e parë, e bën më të vështirë ndeshjen për Shkëndijën, duke ditur edhe forcën e kundërshtarit.
Megjithatë, trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani shprehet se skuadra e tij ka mësuar nga gabimet e ndeshjes së parë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm dhe se në këtë takim, do të synohet vetëm fitorja dhe kalimi i turit.
“Të tregojmë nesër se disfata 0:3 në Austri nuk ishte real. Shkëndija është e gatshme për të treguar më të mirën. Në atë ndeshje pranuam gola përmes gabimeve tona, ndërsa rastet që i krijuam nuk i realizuam. Këtë gjë duhet patjetër ta përmirësojmë në ndeshjen në Shkup.
Nuk mendojmë për Rozenborgun dhe “Play Off”-in në Liga Europa. I gjithë përqendrimi ynë është për këtë ndeshje. Nesër neve duhet të japim maksimumin, e më pas do të shohim se çfarë do të ndodh. Do të bëjmë çmos për të fituar”, u shpreh Osmani.