Çfarë po ndodh me Partizanin? Pas Çanit, largon edhe Abdurahimin

Diel, 26 August 2018 18:32

Mesa duket klubi i Partizanit nuk është ndjerë aq i sigurt sa të mbajë brenda tij lojtarë që kushtojnë shumë siç janë Edgar Çani dhe Besart Abdurahimi. Klubi i kuq ka ndërprerë kontratën me 28-vjeçarin, i cili do të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të konsiderueshme për shkak dëmtimi.

Gjatë periudhës që kaloi me të kuqtë ai shënoi 2 gola në 11 ndeshje duke fituar zemrat e tifozëve, por rroga e tij e lartë dhe dëmtimi që pësoi e ‘detyruan’ klubin të heq dorë prej shërbimeve të tij. Përmes një komunikate për shtyp, klubi i kuq njofton se Abdurahimi nuk do të jetë më pjesë e të kuqve.

“Klubi njofton mbylljen e bashkëpunimit me Besart Abdurahimin. Sulmuesi 28 vjeçar dhe drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre, duke i dhënë mundësi lojtarit të jetë i lirë. Abdurahimi ishte pjesë e skuadrës nga fillimi i këtij viti dhe me fanellën e kuqe regjistroi 11 ndeshje duke realizuar edhe dy gola. Klubi i uron njëkohësisht Besart Abdurahimit suksese në karrierën e tij sportive”, thuhet në njoftimin e Partizanit.

Këtë sezon Partizani është prezantuar me lojtarë pa emra të mëdhenj, por të uritur për të fituar. Trajneri Skënder Gega, shpesh ka thënë se do të afroj në skuadër vetëm ata lojtarët që impenjohen maksimalisht.

Modifikuar më Diel, 26 August 2018 19:10
Login to post comments