Xhani De Biazi ka kaluar edhe këtë fundjavë në studiot e RAI duke komentuar ndeshjet e kampionatit italian. Por që nga java e ardhshme, ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare mund ta shohë veten në fushë, më saktësisht në një nga pankinat e Serisë A.
Emri i trajnerit qarkullon prej kohësh në ambientet e skuadrave italiane dhe pavarësisht zërave për të marrë drejtimin e Armenisë, ai duket më i prirur për të drejtuar edhe një herë në kampionatin e vendit të tij, ku mungon që nga viti 2010. Pak kohë më parë, De Biazi kishte pretendime që të merrte një skuadër të madhe, tani duket gati të pranojë edhe një ekip mbijetese.
Një i tillë është Frosinone. Sipas mediave italiane, pas humbjes së sotme përballë Xhenoas, trajneri Longo nuk e ka të gjatë në drejtimin e skuadrës që u ngjit nga Seria B. De Biazi është mes kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e këtij klubi, edhe pse e pret një detyrë shumë e vështirë. Ekipi ka regjistruar 1 barazim e 6 humbje në ndeshjet e para në Serinë A dhe llogaritet nga të gjithë si një prej kandidatëve kryesorë për të rënë në fund të sezonit.