Mala i rikthen kreun Partizanit vetëm pas 24 orësh

Hënë, 08 October 2018 15:54

Partizani arriti të fitonte me një gol diferencë ndaj Kukësit dhe “heqin qafe” një rival për kreun. Ekipi i Cungut në pjesën e parë e kishte të vështirë të prekte topin, ndërkohë që të kuqtë dominuan me lojë dhe raste. Vetëm pas ndryshimeve të kryera, skuadra e Cungut arriti që të dalë disi në lojë, por jo të shënonte.

Kuksianët e nisën takimin me shumë ndryshime në formacion në dallim nga një javë më parë. Mungesat janë të dukshme, por edhe që gjatë pjesës së parë bien menjëherë në sy. Zguro, Limaj, Melo dhe Çyrbja nuk ishin të besuarit e teknikut Armando Cungu, i cili pati vendosur se në fushë duhet të zbrisnin Et’hemi, Cordeiro, Dzaria dhe Kalaja. Megjithatë, 45-minutat e para të ndeshjes rezultuan një dështim për teknikun shkodran.

Por loja që ata bënë ishte e dobët, e paqartë mbi të gjitha dhe asnjë aksion drejt portës së të kuqve, duke iu lënë hapësirë të besuarve të teknikut Skënder Gega që të shfrytëzonin çdo hapësirë për të rrezikuar dhe portën e mbrojtur nga Frashëri.

Ishte minuta e 20 kur Asani bllokoi një aksion në të majtë të mbrojtjes, duke avancuar te Bardhi. Ky i fundit gjeti të lirë Esat Malën që realizoi dhe golin e zhbllokimit të rezultatit. Mala arriti që të gjuante saktë mes mbrojtësit Cucli dhe portierit Frashëri e sfera përfundoi në rrjetë.

Më tej kryeqytetasit patën raste të mirëfillta për të gjetur dhe golin e dytë, por herë Asani e herë Mala e Bardhi nuk u treguan të qartë para portës së Frashërit. Ndërsa nga ana tjetër, Alban Hoxha qëndroi i qetë deri në përfundim të takimit.

Në pjesën e dytë loja filloi që të ndryshojë për kuksianët, por te Partizani lojtarët reagojnë më së miri duke qenë në çdo pozicion ku lëvizte topi.

Të kuqtë tregohen racional, mbrojnë mirë dhe kundërsulmojnë shpejtë nga krahët me Malën dhe Asanin, apo edhe Bardhin. Kur e sheh që ekipi vijon të stonojë, Cungu nxjerr nga loja Kalanë dhe fut Arbër Çyrbjen, një tjetër gabim në formacionin titullar të ndeshjes së sotme.

Te Partizani nuk vihen nën presion, luajnë thjeshtë dhe bëjnë më të mirën duke krijuar raste për të kërcënuar portën e Kukësit.

Në fund te Kukësi kërkuan me çdo kusht golin, megjithatë, ishin gabuan para portës. Madje dhe aksionet që organizuan ishin të paqarta, topa të gjatë dhe pa drejtim, ku fitues dilnin mbrojtësit e kuq.

Login to post comments