Jemi plot 20 ditë larg ndeshjes së kombëtares me Uellsin dhe vëmendja e të gjithëve është se cilët do jenë lojtarët e thërritur nga Panucci për këtë përballje.
Mund të themi me plot gojë se ekipi ynë kombëtar është shkatërruar që nga momenti kur postin e Gianni De Biasit e mori Christian Panucci.
Teknikut aktual të kombëtares nuk i intereson aspak të shohë performancën dhe statistikat e lojtarëve, por bën zgjedhje të paarsyetuara, e si pasojë edhe rezultatet e shfaqura janë shumë negative.
Një pyetje e ngritur me plot të drejtë nga të gjithë është: Pse menaxheri Panucci nuk i hedh sytë nga Superliga ku talente si Dejvi Bregu, Jasir Asani apo Bruno Dita do e ndihmonin shumë ringritjen e kombëtares dhe në vend të tyre thërret lojtarë që nuk janë aktivizuar as 5 minuta në ekipet përkatëse?
Vështirë për ta gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, por duke parë situatë e derimëtanishme Christian Panucci do vazhdojë me të tijën dhe me shumë gjasa ekipi që përfaqëson fanellën kuqezi do të rrëzohet akoma më shumë. (K.T /55news.al)