Piloti britanik i Mercedesit ishte më i shpejti nga rivalët e tij, e do ta nisë nga vendi i parë garën në pistën e Interlagosit për herë të 10 në karrierë.
Megjithatë, për Hamiltonin nuk ishte aspak e lehtë të fitonte këtë “pole position”. Ferrari dhe Sebastian Vettel rivalizuan me kampionin e saposhpallur të botës, me gjermanin që i mbylli provat zyrtare në vendin e dytë, me vetëm 93 të mijëtat më shumë.
Vendi i tretë ishte për Bottasin, i ndjekur nga pas nga Raikkonen. Vija e tretë e nisjes plotësohet nga Max Verstappen dhe Ericson. Ricciardo shënoi kohën e 6 më të mirë, por garën do ta nisë nga vendi i 11, për shkak të penalizimit të tij me 5 pozicione.
Por, gjatë kualifikueseve pati disa momente të diskutueshme, me protagonist pikërisht Hamiltonin, për disa manovra të kryera që ishin në kufijtë e normës së lejuar, siç ishte një pengesë e lehtë ndaj Raikkonenit që po zhvillonte një xhiro të shpejtë, ndërkohë që nxori jashtë piste edhe Sirotkin.
Për këtë episod të fundit, Hamilton u fal nga komisarët e garës, pasi rusi nuk ishte duke kryer xhiro të shpejtë. Probleme pati edhe Sebastian Vettel, që doli para komisionit teknik të garës për dëmtimin që i bëri instrumentit që peshon makinat, pasi u ngjit në të pa e fikur motorin.
Gjithsesi, Vettel e ruajti vendin e dytë në fillimin e garës dhe e kaloi këtë moment vetëm me një vërejtje nga komisarët e garës dhe një gjobë prej 25 mijë eurosh.