Ditën e sotme një tjetër futbollist ka vendosur që të largohet nga grumbullimi i Kombëtares për ndeshjet kundër Skocisë dhe Uellsit. Emir Lenjani ka braktisur përfundimisht grumbullimin e kombëtares, pasi nuk ia ka dalë të jetë i gatshëm për dy sfidat e radhës.
Lenjani erdhi i dëmtuar nga ekipi i tij Sioni dhe ditën e djeshme zhvilloi një seancë të diferencuar së bashku me Eros Grezdën. Pas konsultimit me stafin mjekësor të ekipit përfaqësues, mbrojtësi i krahut të majtë vendosi të kthehej sërish në Zvicër. Shqiptari i Kosovës nuk do të rrezikojë ta pësojë më keq.
Pas Loret Sadikut që nuk erdhi për “probleme fizike”, Ramadanit që theu dorën, Balliut që nuk e la Metz-i tashmë është radha e Emir Lenjanit për të lënë grumbullimin e ekipit tonë përfaqësues. 29-vjeçari ishte një nga futbollistët më në formë momentalisht, pasi po luante rregullisht dhe kishte gjetur dhe rrugën e rrjetës. Mbetet për t’u parë se kush do ta zëvendësojë prishtinaliun.