Panuçi: Duhet gol patjetër ndaj Skocisë. Grezda: Besojmë te kualifikimi

Saturday, 17 November 2018 09:40

Christian Panucci, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit i ka kërkuar lojtarëve gola në ndeshjen e nesërme përballë Skocisë. Në konferencën për mediat nga Shkodra, Panucci tha se Shqipëria duhet patjetër të fitojë ndeshjen e radhës. “Nesër duhet të shënojmë patjetër. Krijojmë raste, por nuk shënojmë. Lojtaret nuk duhet ta pranojnë faktin që nuk shënojmë gol. Me Skocinë duhet të fitojmë patjetër ndaj duhen golat”, deklaroi Panucci në konferencë ku ishte i pranishëm dhe mbrojtësi Mërgim Mavraj. Duke u ndalur tek lojtarët, trajneri i kuqezinjve tha se Grezda ka disa probleme, por ka kërkuar që të luajë.

Vetë Eros Grezda ka paralajmëruar skocezët ku ka folur për prestigjiozen Daily Record se në "Loro Boriçi" do të shikojnë një Shqipëri dinjitoze në fushë me qëllimin e vetëm për të fituar. Ylli i Rangers ishte në dyshim pasi ka punuar individualisht megjithatë është i vendosur për t’i shkaktuar humbjen Skocisë në Shkodër nesër mbrëma dhe për të shmangur rënien në ligën D. "Kjo është një ndeshje e madhe dhe e rëndësishme për ne por kemi nevojë për një fitore. Nëse nuk fitojmë rrezikojmë të zhvendosemi në divizionin D. Njerëzit mund të thonë se ne jemi eleminuar tashmë por nuk është e pamundur. Ne kemi nevojë për të fituar 3-0 për tu kualifikuar", tha Grezda. Pavarësisht optimizmit, shanset janë të pakta për kuqezinjtë për të kaluar më tej megjithatë fitorja ndaj Skocisë nuk diskutohet.

Shqipëria përballet nesër me Skocinë në “Loro Boriçi”, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Login to post comments