Kategoria Superiore/ Skënderbeu kërkon kreun në kryeqytet, Teuta pret Luftëtarin

Saturday, 24 November 2018 09:18

Kategoria Superiore u rikthye dje me sfidën e parë të javës së 14, atë të luajtur në Vlorë mes Flamurtarit dhe Partizanit, që përfundoi me rezultatin 1-0 për kuqezinjtë e Duros.

 

Sot në orën 14:00, kampionati shqiptar do ët vijë me nëj tjetër sfidë mjaft interesante, atë që do të luhet në “Sleman Stërmasi” mes Tiranës dhe Skënderbeut.

Vendasit vijnë pas një periudhe shumë të vështirë, ku ndonëse janë paraqitur mirë në fushë, në 6 javët e fundit kanë marrë vetëm dy pikë dhe numërojnë plot 4 humbje.

Trajneri Ardian Mema, i cili drejton bardheblutë prej 5 javësh, nuk e ka provuar ende shijen e 3-pikëshit, gjë që do të synojë ta bëjë sot, ndonëse sfida do të luhet pa përkrahjen e tifozërisë, për shkak të pezullimit nga Komisioni i Disiplinës.

Nga ana tjetër, korçarët do të vijnë në kryeqytet me objektivin e vetëm, fitoren, për të shfrytëzuar hapin fals të Partizanit dhe për t’u rikthyer në krye të renditjes.

Një tjetër sfidë interesante do të zhvillohet në orën 17:00 në stadiumin e rinovuar tashmë, “Niko Dovana” të Durrësit, ku Teuta vendase do të presë Luftëtarin e Gjirokastrës.

Skuadra e drejtuar nga Blendi Shkëmbi ka krijuar nëj vazhdimësi në rezultate dhe mban me meritë vendin e tretë të renditjes, në kuotën e 22 pikëve, ndërsa sot do të kërkojë suksesin e radhës, për të nisur shkëputjen nga ndjekësit.

Nga ana tjetër, gjirokastritët e drejtuar nga Gentian Mezani, kanë kaluar periudhën e errët të fillim-sezonit dhe po përpiqen që t’i largohen sa më shumë zonës së ftohtë të renditjes.

Login to post comments