Trajneri italian i Juventusit, Massimiliano Allegri, nuk e ka konsideruar humbjes e penalltisë nga Cristiano Ronaldo ndonjë gjë të madhe, duke thënë se një gjë e tillë mund t’i ndodhë të gjithëve.
Sulmuesi portugez e pati një mundësi të artë në pjesën e dytë të ndeshjes së djeshme për ta thelluar rezultatin kundër Chievos, megjithatë portieri 39-vjeçar, Stefano Sorrentino, arriti t’ia mbrojë gjuajtjen Ronaldos.
Përkundër që Ronaldo e humbi këtë mundësi, Juventusi arriti ta fitojë lehtësisht edhe këtë ndeshje, duke siguruar fitore me rezultat 3-0, përmes golave të shënuar nga Douglas Costa, Emre Can dhe Daniele Rugani.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Allegri bëri të ditur se për të është më e rëndësishme fitorja e skuadrës sesa penalltia e Ronaldos. Megjithatë, strategu italian e pranoi se Ronaldo u mundua më shumë se zakonisht për të shënuar gol në pjesën e parë të ndeshjes.
“Penalltitë e rëndësishme janë në raste të tjera... mund të ndodhë që ta humbasësh një penallti. Nuk mendoj se kjo është hera e parë që Ronaldo po e humb një penallti në karrierën e tij”, ka thënë Allegri.
“Në fund të fundit, gjëja më e rëndësishme është se ekipi fitoi. Ai [Ronaldo] dëshiroi të shënonte dhe në pjesën e dytë ishte shumë më i mirë teknikisht. Në pjesën e parë, ai po ngutej shumë për ta gjetur rrjetën e portës”.
“Ndërsa në pjesën e dytë të ndeshjes, ai luajti futboll shumë më të lehtë dhe ai i pati dy apo tri raste të mirë për të shënuar gol”.