Shqipëri - Turqi, të premten nis aventura e Kombëtares për Europianin 2020, në ‘Loro Boriçi'

E mërkurë, 20 Mars 2019 08:38

Dita e premte rezervon ndeshjen e parë të Shqipërisë në eliminatoret e Europianit 2020, dhe në “Loro Boriçi” vjen Turqia, në një sfidë që pritet të jetë mjaft e fortë.

Shumë tifozë turq parashikohen të jenë në stadium, duke qenë se në Shqipëri jeton një komunitet i madh i tyre, por me interes pritet ky takim edhe te tifozët shqiptarë.

Kompania e sigurisë ka publikuar edhe listën e sendeve që nuk do të lejohen në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. 

Gjithashtu ka edhe sugjerime në lidhje me hyrjen në stadium, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata.

“BBS Security” rendit listën e sendeve që nuk lejohen në stadium të premten:

Banderola të pa miratuara nga Federata.

Sende të forta dhe shishet e qelqit.

Materiale piroteknike, si shashka, kapsolla, flakadanë etj.

Çadra dhe çakmakë.

Lazer.

Vuvuzela, bori apo bilbila.

Kamera të ndryshme dore apo aparate që mund të filmojnë ndeshjen.

Shkopinjtë e drurit apo hekurit për flamujt.

Në mënyrë që të shmangen radhët e gjata përpara biletarisë, sugjerohet pajisja sa më parë me biletë dhe paraqitja më herët ditën e ndeshjes për të shmangur radhët e gjata dhe pritjet në dyert e stadiumit. Dyert do të hapen në orën 18:00, ndërsa ndeshja nis në 20:45.

Login to post comments