Video/ Juventusi ngec në Firence, kampionët dalin me “paterica”

Saturday, 14 September 2019 18:07

Juventusi nuk ka mundur të shkojë më larg sesa një barazim pa gola kundër Fiorentinës, në sfidën e zhvilluar sot pasdite në “Artemio Franki” dhe që ka parë kampionët në fuqi pa dëshirë dhe pa ide loje përballë një Fiorentine shumë më me dëshirë për të kënaqur tifozët e saj, të cilët kishin mbushur tribunat e stadiumit.

Një sfidë 0-0 me shumë pak raste nga Juventusi, që vuan dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve të saj, teksa humbet në sekondat e para Duglas Kostën dhe në fund të pjesës së parë Miraleim Pjaniç. Si për t’i vënë kapak shtohet dhe zëvendësimi i tretë për shkak dëmtimi, me Danilon që del para kohe. Një këmbanë alarmi e fortë për bardhezinjtë në prag të sfidës Champions kundër Atletikos.

Nga ana tjetër, Fiore u shfaq më mirë, krijoi disa raste të mira shënimi. Të frymëzuar nga Frank Riberi dhe Kieza, lojtarët e Montelës dalin disa herë para Sheznit, por mungoi finalizimi i saktë për të vënë me shpatulla pas murit një rival që ishte në ditë jo të mirë. Juventusi shkon në 7 pikë pas 3 javësh, ndërsa Fiore mori pikën e parë në këtë sezon.

Login to post comments