Aurelio De Laurentiis ndez fantazinë e tifozëve të Napolit, duke konfirmuar mundësinë që Zlatan Ibrahimoviç të vihet nën urdhërat e trajnerit Ancelotti. "Ibra është një mik i imi, - shpjegon presidenti e klubit napolitan për “Sky Sport”. - E takova në Los Angeles, sepse ishim në të njëjtin hotel. E ftova atë për darkë me gruan dhe fëmijët, kaluam një mbrëmje të shkëlqyeshme. Kemi dëshirën për ta parë të veshur blu, nuk është vetëm sugjerim, por kjo varet nga ai".
Në fakt, ende nuk dihet nëse është bërë apo jo telefonata e famshme e Carlo Ancelotti në drejtim të Zlatan Ibrahimoviç. Trajneri i Napolit, pasi fitoi me Veronën, me pak ironi (por mbase edhe me një seriozitet minimal) tha se do ta telefononte suedezin, i cili kishte thënë fjalë të ëmbla për nënkampionët e Italisë. Pasi fitoi “play off”-in e MLS kundër Minesota, një gazetar amerikan e pyeti sulmuesin e LA Galaxy në lidhje me telefonatën e trajnerit të skuadrës napoletane.
Ibra u përgjigj... në stilin e plotë të tij: “Të gjithë më telefonojnë. E do edhe ti numrin tim? Kështu edhe ti mund të më telefonosh. Ok, u kry!” E ardhmja e kampionit suedez është ende e pasigurt. Shumë klube përfliten për të. Sigurisht, pasi e ka treguar kudo se çfarë është në gjendje të bëjë, Zlatan, edhe pse në moshën 38-vjeçare, nuk do të tërhiqet. Tani i takon atij të zgjedhë ekipin e ri nga janari e tutje...