Largimi i Julian Ahmataj, më shumë se sa mund ta përmirësoj situatën, e përkeqëson akoma më shumë, duke konfirmuar se ambienti në shtëpinë e bardhebluve nuk është aspak i qetë. Vendimet e stafit drejtues janë në kufijtë e të pabesueshmes, të ndryshosh 2 trajner dhe të jesh në pritje të tretit, në vetëm 14 javë kampionat, nuk i shkon aspak për shatat një klubi si Tirana, mbi të gjitha këtë sezon ku kërkonte me çdo kusht titullin kampion.
Ahamtaj konfirmoi për BalkanWeb se ka mbyllur bashkëpunimin me bardheblutë duke mos u paraqitur as në seancën e fundit stërvitore. Ekipi stërvitet nga trajneri i portierëve, një “shpikje” për ti dhënë më shumë kohë stafit drejtues të zgjedh trajnerin e ri. Absurde është gjithashtu fakti që këto lëvizje bëhen pak ditë përpara derbit të kryeqytetit, në kushte normale, kjo duhet të ishte një vigjilje e “zjarrtë” por që e gjen Tiranën me shumë halle. Grupi nuk është i plotë, shumë lojtarë si Hasani, Kobina, Dunga, Osmani e tij janë të dëmtuar ndërsa duhet të preokupohen edhe se kush do të jetë trajneri i ri. Presidenti Refik Halili duhet të bëjë edhe një llogaritë, të mendoj për pasuesin e Ahmataj, sigurisht siç ndodh gjithnjë në raste të tilla, në tavolinën e tij shtrohen shumë opsione.
Emri i parë, kandidati potencial për të marrë drejtimin e bardhebluve është Gugash Magani, për ironi të fatit është trajneri i fundit që ka fituar një derbi, një trajner me shumë reputacion dhe që i shkon përshtat situatës ku ndodhet Tirana. I kontaktuar nga BalkanWeb, tekniku peqinas konfirmoi se për momentin nuk ka asgjë konkrete por nuk mohoi tratatiivat. Në raste të tilla nuk mungon asnjë herë as emri i Bledar Devollit, trajner i ekipit të rinjve te Tirana, një “hije” që ka qëndruar pas çdo trajneri që është ulur këtë sezon në stolin e bardhebluve.
Sipas “Panorama Sport”, në këtë listë nuk mungon as emri i Ardian Memës, i shkarkuar 5 javë më parë sepse ishte 3 pikë larg kreut. Nëse Mema do të bënte prapa kthehu, sot do ta gjente Tiranën në zonën “play-out”, 6 pikë larg kreut.