Grushta arbitrit në Peqin, FSHF thirrje policisë: Arresto agresorët

Saturday, 14 December 2019 21:01

Fusha e gjelbër veç rezultateve sportive vazhdon të prodhojë edhe dhunë. Rasti i fundit u shënua sot në Peqin.

Takimi i javës së 11-ë midis Shkumbinit dhe Dinamos u mbyll në mënyrën më të shëmtuar.

Një grup tifozësh peqinas zbritën në fushë dhe iu turrën gjyqtarit kryesor të sfidës Sokol Bebja duke e goditur me grushta.

Revoltimi erdhi për shkak të pretendimeve të skuadrës së Shkumbinit dhe tifozëve të tij në lidhje me gjykimin e Bebjas.

Ky i fundit u arrit të nxirrej me vështirësi nga stadiumi.

Fill pas kësaj ngjarje ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit e cila dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit.

FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.

FSHF thekson se nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive.

Login to post comments