Pak ditë më parë festoi 35 vjetorin e lindjes por shifrat për Ronaldon janë thjeshtë numra, mjafton të shohim atë që jep në fushën e lojës. Parametrat e tij fizik ngjajnë me një 28 vjeçar po ashtu dhe rendimenti i tij. Fenomeni portugez nuk ka ndërmend të ndalet, të paktën për sa kohë ka ende objektiva dhe stimuj pasi trupi i tij vijon ti përgjigjet në mënyrë të shkëlqyer. E ka shpjeguar dhe herë të tjera dhe e përsërit sërish në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca” kur pyetet se kur ka ndërmend të var “këpucët mbi gozhdë”:
“Shumë varet nga ajo se si ndihem, nga motivimi që kam, pasi fizikisht nuk është një problem. Po trajtohem mirë dhe mendoj se mund të luaj lehtësisht deri në moshën 40-vjeçare. Faktori më i rëndësishëm, e them me sinqeritet, do të jetë ana psikologjike, do të jetë ajo që do të bëj diferencën. Në çdo rast, çdo fillim e ka një fund, kështu që logjikisht nuk do të zgjas gjithë jetën. Ndihem ende i fortë për të vijuar të fitoj gjëra të rëndësishme”, u shpreh Ronaldo.
Pavarësisht moshës, CR7 po konfirmon edhe këtë sezon se është i aftë të luaj në nivele shumë të larta dhe të jetë përcaktues. Në vitin e tij të dytë me Juventus ka shënuar 19 gola në 22 ndeshje.