Barcelona nuk po gjen qetësi, pasi mbyllën çështjen Abidal, hapet një tjetër edhe më delikate. Pas tensioneve ndërmjet drejtorit sportiv dhe Leo Messit, presidenti Bartomeu i doli në krah Abidal, një vendim që sërish nuk është pritur mirë nga kapiteni. Ambienti në shtëpinë e Barçës nuk është aspak pozitiv, një situatë e cila ka bërë që të hapet edhe një herë çështja Messi dhe e ardhmja e tij.
Leo është i mërzitur jo vetëm për përplasjen e fundit me Abidal, por janë një disa vendime të cilat nuk janë pritur mirë nga “pleshti”, duke nisur nga largimi dhe mos rikthimi i mikut të tij, Neymar, largimi i Valverdës, një trajner që Messi e admironte dhe deri tek mungesa e rezultateve në Champions. E gjithë kjo tablo ka bërë që Messi të mendohet edhe një herë për të ardhmen e tij, ku sigurisht nuk mungon as opsioni për tu larguar, një ide të cilës i druhet edhe trajneri Quique Sentien: “Duhet ti qëndrojmë pranë dhe të evitojmë çdo tentativë për tu larguar”.
Mundësia që Messi ta bëjë diçka të tillë ka marrë formë që në vitin 2017, ku në kontratën e re ekziston një klauzolë që Messi mund të largohet në fund të çdo sezoni, madje falas. Të marrësh një lojtar si Leo Messi pa paguar asnjë qindarkë është një luks i pabesueshëm por jo të gjithë klubet kanë mundësi të përballojnë pagën e tij vjetore, afro 87 milion euro, ku përfshihen paga fikse, bonuse dhe shumë detaje të tjera. Sigurisht që ka klube që janë të gatshme të paguajnë çdo kërkesë të Messi, klube si PSG, Man.City, Man.United por dhe Juventus që mund të bashkonte në një ekip dy lojtarët më të mirë në botë, sigurisht kjo e fundit vështirë se mund të ndodh.