11 lojtarët më të paguar në Ligue 1 franceze, luajnë të gjithë te Paris Saint Germain. Dominimi në fushë i ekipit kryeqytetas, vjen mbi të gjitha sepse aty luajnë disa prej futbollistëve më të mirë në botë.
Lista e më të paguarve kryesohet nga Neymar. Sulmuesi brazilian, i blerë nga Barcelona për 222 milionë euro, përfiton plot 3 060 000 euro në muaj. Pas “O’Ney” vjen ylli tjetër i skuadrës, Kylian Mbappe. Lojtari i përfaqësueses franceze përfiton 1 910 000 euro në muaj, ndërsa podiumi plotësohet nga kapiteni Thiago Silva me 1,5 milionë.
Lista e futbollistëve më të paguar në kampionatin francez vazhdon me Edinson Cavanin, Marquinhos dhe Verratti, Angel Di Marian dhe Keylor Navas, të ndjekur nga Mauro Icardi dhe Paredes. Formacioni i më të paguarve mbyllet nga Kimpembe.
Në vendin e 12 është i pari lojtar që nuk aktivizohet te Paris Saint Germain, Ben Yedder i Monaco, i cili përfiton 650 mijë euro në muaj. Pas tij vijnë dy lojtarë të tjerë të kampionëve të Francës, Ander Herrera dhe Julian Draxler.
Shifra të pabesueshme për pagat, i cili është përkthyer edhe në dominim në futbollin francez, me Paris Saint Germain që tashmë kërkon të bëhet i madh edhe në arenën ndërkombëtare.